Pasditen e djeshme, një vajzë rreth 7-vjeçe dyshohet se është marrë nga rrjedha e lumit Drini i Zi ,në Gjoricën e Poshtme të Bashkisë Bulqizë.
Pesë persona, të afërm me njëri-tjetrin, u futën mbrëmjen e djeshme për t’u larë në lumin Drin, në Gjoricë të Bulqizës, por rrjedha e lumit u shtua papritur pas hapjes së portave të një hidrocentrali në Dibër të Madhe.
Të lidhura
None found
Si pasojë, uji mori me vete një vajzë rreth 7 vjeçare e cila dyshohet se është mbytur, ndërsa katër personat e tjerë u shpëtuan.
Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, është vënë në lëvizje një operacion kërkimi, ku marrin pjesë familjarë, banorë të zonës, punonjës të Bashkisë Bulqizë dhe shërbimet e Policisë.
Dyshimet paraprake lidhen me rritjen e prurjeve të lumit, e cila mund të ketë shkaktuar shtimin e fuqisë së rrjedhës së Drinit të Zi.
Autoritetet po verifikojnë gjithashtu nëse hapja e portave të hidrocentralit të Spilës, pas shtimit të prurjeve nga Maqedonia e Veriut, ka ndikuar në këtë situatë.
Kërkimet për gjetjen e të miturës vijojnë, ndërsa në terren mbeten të angazhuar familjarët, banorët, punonjësit e Bashkisë Bulqizë dhe forcat e Policisë.
Rrethanat e ngjarjes nuk janë përcaktuar ende plotësisht dhe autoritetet po vijojnë punën për sqarimin e tyre.
