“U fikën dritat 2 orë ndërruan jetë 4 pacientë të intubuar”, QSUT reagon pas akuzave të Vokshit

Pas akuzave të deputetes Albana Vokshi, ka reaguar QSUT se në këtë spital u fikën dritat 2 orë dhe si pasojë vdiqën 4 pacientë të intubuar.

Në një reagim, Qendra Spitalore ‘Nënë Tereza’, theksoi se më 5 prill, në orën 1:30 të mëngjesit, pati një luhatje energjie, ndërsa bëhet e ditur se nuk ka pasur asnjë humbje jete.

Reagimi:
“QSUT shpreh keqardhje për deklaratat e pavërteta në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, të cilat afektojnë drejtpërdrejtë pacientët dhe shëndetin e tyre.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sa i takon deklaratave të bëra nga anëtarët e komisionit për ndërprerje të energjisë elektrike në një prej godinave të këtij spitali sqaron si më poshtë vijon:
Në datë 5 Prill, në orën 1:30 të mëngjesit, punonjësit teknikë të shërbimit 24 orësh kanë konstatuar luhatje të energjisë elektrike pranë Shërbimit të Reanimacionit Qendror. I menjëhershëm ka qenë reagimi i teknikëve shtesë të gatishmërisë të QSUT-së të cilët në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i kanë dhënë zgjidhje kësaj problematike duke bërë të mundur rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e situatës.
QSUNT sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë të vërtetë sikurse është raportuar ditën e sotme për humbje jete të pacientëve dhe se shërbimi ndaj tyre nuk është cenuar në asnjë moment”.


Shtuar 8.04.2024 14:09