U ekzekutua jashtë marketit në Lezhë, nesër ceremonia mortore për Nikolin Lekstakajn, asnjë gjurmë nga autorët

Nesër, 21 korrik, përcillet për në banesën e fundit, Nikolin Lekstakaj (Toli), i cili u ekzekutua pasditen e djeshme në Balldre të Lezhës, jashtë një marketi.

42-vjeçari Nikolin Marku Nikulaj u qëllua pasditen e djeshme me breshëri plumbash nga një mjet në lëvizje, menjëherë sapo doli nga një market në Balldre të Lezhës.

Sipas dëshmitarëve makina ka qenë me xhama të zinj, ndërsa dyshohet se shkak i vrasjes është hasmëria mes fisit Lekstakaj dhe Nikulaj. Në lidhje me atentatin është marrë në pyetje edhe vëllai i viktimes Bledar Lekstakaj.

Ai ka thënë para hetuesve se sapo ishte kthyer sot nga Tirana dhe se ka qenë duke qëndruar në shtëpi me nënën e tij në momentin që Nikolini i ka marrë makinën për të shkuar për të blerë diçka në market.

Ai është shprehur se pak minuta më vonë kishte dëgjuar krisma, por nuk kishte menduar se mund të ishte vrarë vëllai i tij. Më vonë është njoftuar për ekzekutimin.

Disa persona janë shoqëruar në komisariatin e policisë së Lezhës në lidhje me atentatin e një dite më parë në Balldren. Por ende uniformat blu nuk kanë asnjë të dyshuar, ndërsa pista kryesore e hetimeve është gjakmarrja. Po ashtu, policia ende nuk ka arritur që të identifikojë mjetin e përdorur nga autorët.

Hetuesit e grupit hetimor kanë sekuestruar dhe po analizojnë kamerat e sigurisë së bizneseve, të cilët mendohet të kenë filmuar lëvizjet e autorëve.
Ekzekutimi duket se ka lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në 19 prill të këtij viti në lokalin e tij në Shëngjin, vrasje për të cilën u arrestuan disa shtetas, mes tyre dhe të huaj. Vrasja e biznesmenit Nikulaj u porosit nga Elton Lekstakaj i cili jeton në Britani./albeu.com/


Shtuar 20.07.2023 11:17