Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka liruar nga qelia shefin e sektorit të aksidenteve në Policinë Rrugore, Sokol Novakun.
Shkalla e dytë e gjyqësorit caktoi ndaj tij masën “arrest në shtëpi”.
Ndërsa ish-shefi i Rrugores, Roven Zeka, do të vijojë qëndrimin në qeli.
HETIMET
Shef i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës Roven Zeka bashkë me Sokol Novakun shef i hetimit të aksidenteve dhe oficerin e policisë rrugore Edison Tabaku, ranë në pranga disa javë më parë (19 prill) në kuadër të një hetimit të SPAK, dhe dyshohet se kanë marrë 2 mijë euro ryshfet, për manipulimin e provave për një aksident rrugor, të shkaktuar nga bashkëshortja e biznesmenit Erges Vrioni.
GJKKO ka dhënë edhe masat e sigurisë arrest me burg për të tre të dyshuarit.
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën arrest me burg më 22 prill për dy shefat e Rrugores së Tiranës, Roven Zeka dhe Sokol Novaku, teksa për Tabakun ishte dhënë një ditë më herët. Të dy oficerët e lartë akuzohen nga SPAK për veprën penale të korrupsionit, ndërsa burime bëjnë me dije se ata kanë mohuar akuzat.
Arrestimet e tyre u bënë më 19 prill, pas ngjarjes së ndodhur më 16 prill, ku u shkaktua aksidenti dhe u kërkuan 2 mijë euro që të mos arrestohej gruaja e biznesmenit.
Sipas dosjes hetimore dhe përgjimeve, duke qenë se oficeri Tabaku e njihte biznesmenin Erges Vrioni, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar shuma monetare për të mos e arrestuar Anisa Vrionin.
Një mijë euro i janë dhënë punonjësit të Policise Edison Tabaku, pranë banesës së tij. Vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të Policisë Rrugore dhe i ka kërkuar edhe një mijë euro të tjera, pasi i thotë “kam persona të tjerë mbi kokë”.