U arrestua për korrupsion, KLP pezullon nga detyra prokurorin Sali Hasa

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur pezullimin nga detyra të prokurorit të Sarandës, Sali Hasa.

Hasa u arrestua disa ditë më parë për korrupsion së bashku me 5 persona të tjerë.

Pas hetimeve të nisura gushtin e kaluar për një grup trafikantësh të lëndëve narkotike ranë në përgjime, prokurori Hasa, oficeri i policisë Napolon Hodaj, një arbitër futbolli, drejtues i ekipit të futbollit në Përmet si dhe një ekspert mjeko-ligjor.

Referuar hetimeve, ka rezultuar se Hasa ka pushuar akuzën e plagosjes për Emiljano Miranin, pasi ka marrë një shumë parash nga motra e tij, Elsona Papa që po hetohet nën masën e arrestit shtëpiak.

“KLP vendosi me votë unanime pezullimin nga detyra të prokurorit Sali Hasa, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Sarandë, për shkak të masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë me vendimin nr.40, datë 17.06.2021 dhe nr.44, datë 21.06.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur ky pezullim.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Gjykatën Administrative të Apelit”, thuhet në njoftimin e KLP-së./albeu.com


Shtuar 22.06.2021 11:30

Tags: ,