Prokuroria e Shkodrës, i ka përcjellë materialet Ministrisë së Drejtësisë bashkë me kërkesën për ekstradimin e Ibrahim Licit.
Lici u arrestua javën e kaluar në Turqi, lidhur me vrasjen e Endri Mustafës, ndërsa familjarët pretenduan se i shumëkërkuari u vetëdorëzua.
Pas kësaj pritet që ministria e Drejtësisë, t’i drejtohet shtetit turk me kërkesën zyrtare të ekstradimit.
Gjykata Shkodrës, në vitin 2021, i ka caktuar Licit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, Endri Mustafën.
Ashtu siç ishte përfolur për vendodhjen e tij pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, Ibrahim Lici u arrestua në Turqi.
Agjentët e antikrimit në Shkodër, kishin siguruar informacion se i shumëkërkuari Lici fshihej në Turqi.
Pas kësaj, Interpol Tirana ka bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e tij.
Lici u vu në pranga kur Policia turke, finalizoi operacionin policor të koduar “Jehona”.
Por menjëherë pas publikimit të lajmit, Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit deklaroi nga Turqia se ky i fundit nuk është arrestuar nga policia, por është vetëdorëzuar me qëllim për të kërkuar azil në shtetin turk, për shkak se nuk ndihet i sigurtë në Shqipëri.
Ai thotë se e nuk është e vërtetë se Ibrahim Lici, është arrestuar dhe shton se i vëllai i tij është i pafajshëm dhe nuk ka kryer asnjë vrasje.
Për vrasjen e Endri Mustafës, është dënuar me 10 vite burg, 16-vjeçari Ergys Malja, i dënuar për akuzën e ‘Vrasjes me paramendim kryer ne bashkëpunim’. Për Maljan prokuroria kërkoi 12 vite burgim për shkak të moshës së tij të mitur.