U aksidentua në krye të detyrës, Balla viziton efektiven e plagosur, ka një mesazh për shoferët

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i shoqëruar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, vizituan ditën e sotme efektiven e rrugores, Arata Shurbi, e cila mbeti e plagosur në aksidentin e djeshëm në Vorë ku u përplasën dy mjete.

Balla tha për mediat se gjendja shëndetësore e punonjëses është e stabilizuar, e nën kujdesin intensiv të mjekëve.

“Bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë jemi këtu për të parë nga afër situatën shëndetësore të një prej vajzave të forcës sonë të Policisë së Qarkullimit Rrugor. Për fat të mirë gjendje shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Por natyrshëm, sikurse u informuam nga drejtuesit e Spitalit të Traumës, do të vazhdojë kujdesi intensiv në orët në vijim, sepse ka pasur disa dëmtime. Nuk po hyj në detajet e gjendjes shëndetësore, por lajmi i mirë është se është jashtë rrezikut për jetën. Ka qenë një rast aksidental, por ju sqaroj se punonjësja e Policisë ka mbërritur aty pasi ka ndodhur një aksident. Më pas ka ardhur një automjet tjetër, i cili ka aksidentuar punonjësen e Policisë Rrugore. Ajo që dua t’ju them është se ne do të vazhdojmë të kujdesimi për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit”, tha ministri.

Balla theksoi se prioritet i punës së tij mbetet përkujdesi ndaj çdo punonjësi policie.

“Dua ta them edhe njëherë, siç e kam thënë prej ditës së parë timen në këtë detyrë që Ministri i Brendshëm është një prej gjithë strukturës së Policisë dhe suksesi i misionit tim në krye të kësaj Ministrie varet nga përkujdesja ndaj gjithë oficerëve, punonjësve të të gjithë strukturës së Policisë së Shtetit. Natyrshëm, sikurse jam sot këtu, do të jem gjithmonë duke u kujdesur për secilin nga anëtarët e organizatës së Policisë së Shtetit, për të garantuar.

Në fund, ministri apeloi për çdo drejtues mjeti për të qenë të kujdesshëm dhe në respekt të Kodit Rrugor, për të shmangur ngjarje me pasoja.

“Dua t’i bëj një apel publikut, kemi nevojë edhe për mbështetjen e mirëkuptimin tuaj! Punonjësit e Policisë janë aty për t’u kujdesur për sigurinë rrugore. E ndaj, apeli ndaj atyre që janë në timon është që ju lutem respektoni rregullat e qarkullimit rrugor, limitet e shpejtësisë e të gjitha parashikimet që ka Kodi Rrugor. Jemi aty jo për të vendosur gjoba, por për të ndërgjegjësuar të gjithë ata që janë në timon që të respektojnë normat dhe kërkesat e Kodit Rrugor”, nënvizoi Balla.


Shtuar 9.08.2023 16:12