Sezoni turistik shqiptar e mbërriti pikun e tij kalendarik.
Qindra struktura hoteliere mezi e kanë pritur këtë periudhë të vitit. Ekonomia shqiptare, që gjithnjë e më shumë vitet e fundit është zgjeruar nën kontributin e këtij sektori, gjithashtu mezi e kishte pritur.
Disa sezone të viteve të shkuara kishin krijuar mjaft pritshmëri e, herë-herë edhe mbisiguri, se ky sezon do të ishte edhe më I mbarë.
Por duket se shumë shpejt pasiguritë dhe zhgënjimet filluan të mbijnë nën cadrat bosh e në plazhet pa harenë e pritur.
Ndaj, sic duhet të ndodhte, një përpjekje për analize të shpejtë e arsyetim mbi shkaqet duket gjithandej.
Eshtë mirë që të vetëanalizohemi. Sa më shpejt e sa më sinqerisht. Sepse kjo do ta bëjë dhimbjen e këtij sezoni të dobishme për sezonet e ardhshëm.
E kam thënë edhe më parë: industria turistike në Shqipëri është një industri guximi të pashoq. Një guxim të tillë e lind vetëm pasioni.
Flas për ata që kanë investuar mirëfilli në struktura të rëndësishme hoteliere. Ata kanë vendosur kartat e tyre në një lojë tepër të vështirë, tepër delikate për shkak të finesës.
Turizmi është industri argëtimi, jo halli. Dhe si e tillë ajo nuk toleron gabime.
Një turist ka kohë të analizojë dhe të vendosi në balancë cdo element. Dhe të bëjë pastaj vendimin më eficent. Ndaj, kjo industri, kërkon njëherazi shumë dije, shumë talente: të komunikosh, të çmosh, të gatuash, të shërbesh, të pastrosh, të argetosh, të mobilosh, të njohësh historinë, gjeografinë, gjuhën e huaj, etj, etj. Shumë mund.
Por falë kurajos dhe pasionit, shumë shqiptarë e kanë shkelur këtë rrugë, duke e lënë të hapur për të tjerët që vijnë pas.
Sezoni i këtij viti po tregon, se kjo industri, nuk të lë të gabosh pa të ndëshkuar. Nuk të lë as të vetkënaqesh dhe, pikërisht ku mendon se e ke fituar betejën, të tregon se këtu nuk ka asnjëherë “zare të hedhur” përfundimisht.
Këtu “zaret hidhen” cdo herë, cdo vit. Ndaj cdo herë duhet të kuptosh ku je i pozicionuar me konkurencën dhe cila është diferenca që të sjell tek ti.
Nëse harron që celësi është tek diferenca, atëherë gabon.
Shqiptarët nuk kanë trashëguar ndonjë kulturë të shërbimeve të kualifikuara hoteliere, as të resorteve, madje as të strukturave pritëse në përgjithësi. Shqiptari traditë të trashëguar ka patur mikpritjen në shtëpinë e tij.
Atë po, e ka patur falas, të pasforcuar, unike.
Dhe kjo ka përbërë këto kohë vetiu një produkt të shitshëm turistik.
Por kaq natyrisht, nuk mjafton të krijosh një industri. Një industri kerkon kapacitete të mëdha, shërbim të krahasueshëm me nivelet qindravjecare ndërkombëtare, pastërti shembullore, infrastrukturë të mirë dhe natyrën që na ka falur Zoti.
Të gjitha këto sëbashku të bëjnë thjesht të barabartë me botën.
Paskëtaj, industrisë shqiptare i duhet të krijoj diferencën, Sepse kjo diferencë do ta bëjë të përzgjidhet midis të barabartëve qindra vjecarë.
Cdo i vogël, që të hapi vendin e tij në treg i duhet një vecanti që terheq vëmendjen.
Këtu me së pari vjen natyrshëm cmimi. Cdo aktor i ri nuk mund të cajë tregun pa diferencën e cmimit. Ajo është e para që apelon vëmendjen.
Po cili është lajmi sot?
Lajmi mediatik sot, është se plazhet dhe hotelet, në jug sidomos, janë pjesërisht të zbrazëta për shkak të cmimeve të ekzagjeruara.
Lajmi dhe opinioni në fakt bazohet thjesht mbi perceptim (mund të jetë i saktë, por edhe i gabuar) sepse askush nuk ka folur me statistika të tipit sa % e kapaciteteve akomoduese janë bosh, apo sa më pak se vjet.
Nga ana tjetër edhe administratorët e njësive hoteliere, që kundërshtojnë lajmet mbi cmimet e larta në ato nivele, as nuk konfirmojnë dhe as nuk kundërshtojnë pjesën tjetër të lajmit:
atë, që hotelet dhe plazhet duken pjesërisht të zbrazëta.
Në këtë mënyrë, të dy palët i shmangen përgjegjësisë së analizës së sinqertë mbi pyetjen se ku gabuam.
Ama, nuk i shmangen dot të vërtetës se këtë vit, sezoni yne i turizmit blu, që gjithsesi ishte mjaft i shkurtër, po tkurret edhe më shumë. Ky po që është lajm, lajm I keq.
Kjo nuk duhet të lejohet!
Kjo duhet të parandalohet me cdo kusht. Shqipëria jonë ofron shumë më shumë sesa thjesht “turizmi i mallit” për emigrantët dhe “turizmi patriotik” për shqiptarët etnikë. Ne duhet të jemi shumë më shumë se kaq.
Nëse u referohemi të dhenave per hyrje-dalje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj për periudhën maj-qershor 2022, duket se numri i turistëve të huaj është në rritje, por më në rritje të ndjeshme është numri i shqiptarëve që ikin për pushime verore jashtë kufijve.
Madje,sipas disave të dhënave nga agjencite kryesore turistike, kërkesa për pushime jashtë kufijve është rreth 32% më e lartë se e njëjta periudhë, maj-qershor 2019 (2020-21 ishte kufizimi i pandemisë).
Kjo tregon se :
– gjendja ekonomike e shqiptarëve është rritur (këtë e përforcon edhe fakti që depozitat bankare individuale janë në rritje sistematike).
– raporti çmim/cilësi i turizmit shqiptar, që ka qenë edhe “diferenca” jonë në treg, nuk rezulton të jetë më e tillë në raport me cfarë ofrojnë konkurrentët përtej kufijve. Dhe turisti shqiptar është si cdo turist: vë në balancë cdo element per të marrë maksimumin prej buxhetit të pushimeve.
– nga të huajt që zgjedhin të kalojnë pushime verore në Shqipëri, pjesa më e madhe nuk rikthehen. Ky është problem serioz. Kjo tregon se vendimet tona nuk konsiderojnë afatin e gjatë. Ne kemi rënë pre e padurimit infantil për t’u pasuruar brenda natës. Harrojmë se kjo ndodh vetëm në përralla. Harrojmë se si e për sa koh u pasurua Perëndimi.
Pandemia, lufta në Ukrainë dhe turizmi shqiptar.
Periudha e pandemisë e goditi industrinë e turizmit shqiptar sic kudo në botë. Dëmet e shkaktuara në këtë industri nuk kursyen asnjë hallkë të tij: transportin, eventet, njësitë akomoduese, bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, tekstilet, konsumin e pijeve alkoolike, punësimin.
Kur u shpresua që pandemia është drejt fundit dhe industria e turizmit do fillonte periudhën e ringritjes, lufta në Ukrainë dha goditjen e dytë rradhazi. Por këtë here
ë në mënyrë specifikisht negative për turizmin shqiptar.
Përveç problematikës ekonomike të ngritjes çmendurisht të çmimeve globale të hidrokarbureve, drithërave, energjisë elektrike etj, turizmit shqiptar, pothuajse ju zhduk befas një nga tregjet e rëndësishëm dhe mjaft premtues te viteve te fundit, sic ishte ai i Europës Lindore, vecane
ërisht Ukraina, Bjellorusia, Polonia.
Kjo zhvendosje i tronditi ekuilibrat e brishtë të porsakrijuar ne data-bazat e reja të turizmit tonë. duke sjellë papritur nje raport të ri kërkesë-ofertë. Ky raport i ri nuk u lexua dot shpejt, edhe pse sinjalet ishin aty. Njëkohësisht, goditjet e reja në cmimet e energjise e hidrokarbureve, prishen edhe disa ekuilibra të ndërtuar me tregun italian dhe grek.
Udhëtimi me mjete transporti tokësore dhe detare nuk është më njësoj ekonomikisht.
I gjithë ky dinamizëm i tregjeve dhe ndikimi i tyre ne
ë kërkesën për produkt turistik shqiptar nuk është i lehtë për t’u kuptuar e pastaj adaptuar. Kjo kërkon eksperiencë dhe njohuri mbi këto tregjëe.
Këtu duhet të kishte qenë më i i qartë dhe efektiv roli i institucioneve që e kanë këtë nivel ekspertize. Ato ndoshta duhet të kishin konsultuar dhe orientuar në kohën e duhur industrinë, në menyrë që oferta e saj të ishte e duhur në përmbajtje dhe e mirë-marketuar në kohën dhe tregjet e duhura.
E vështirë ta bësh një turist të vijë tek ty, akoma më e vështirë t’a bësh të rikthehet.
Vitet e fundit qeveria shqiptare u angazhua në një fushatë të strukturuar marketingu ndërkombëtar. Elementet e kësaj fushate ishin intensiv në sasi dhe cilësi. duke bërë që në një kohe të shkurtër turizmi shqiptar të tërheqë vëmendjen e disa segmenteve në kërkesën turistike të huaj.
Shqipëria dhe vecoritë e saj zunë vende nderi në klasifikimet më prestigjoze të rekomandimeve në ketë aspekt.
Këtu u perfshinë energjikisht jo vetëm Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, institucione të fushes, agjensitë turistike, por pati “dalje në fushë” të vetë Kryeministrit, që tërhoqi vëmendjen me të ftuar të nivelit të yjeve ndërkombëtare me shumë ndjekësa si Dua Lipa, çiftit Sarkozi dhe Karla Bruni, Ivanka Trump, etj. Madje, këtij marketingu i shërbeu mirë edhe Leonardo di Kaprio me fushatën per Vjosën.
Sigurisht, e gjithë kjo perpjekje u mbështet mbi investimet e rëndësishme infrastrukturore duke përfshirë aeroportet, rrugët dhe Rilindjen Urbane.
Marketingu e dha rezultatin.
Por ndërkohë, a ishim në lartësinë e duhur që turistët e siguruar nga marketingu intensiv dhe zhvillimi i rëndësishëm infrastrukturor, t’i bënim të riktheheshin përsëri, madje më të shumtë në numër?
Unë mendoj jo.
Raporti çmim/cilësi dhe fluksi.
Deri së fundmi raporti çmim/cilësi,ka qenë mbase një nga arsyet kryesore të suksesit të turizmit shqiptar.
Një nivel tërheqës i këtij raporti dhe natyra e mrekullueshme që na fali Zoti, ka bërë që turizmi shqiptar “të ëndërrojë” për më shumë dhe më shpejt.
Për fat të keq, ëndrrat nuk mjaftojnë për suksesin. Madje mund të të bëjnë “të fluturosh” duke u rrëzuar, nëse nuk qëndron me këmbë në tokë.
Fakti,që shqiptarët që zgjedhin ta konsumojnë buxhetin e pushimeve jashtë kufijve, qoftë te fqinjët tanë apo diku më larg, sa vijnë e shtohen në numër, duke arritur rritjen impresionuese me 32% më shumë maj-qershor 2022, tregon se raporti çmim/cilësi që ne kemi, ka dështuar të jetë i arsyeshëm për paketën që ofrojmë.
Nëse një njësi akomoduese turistike, ka çmime të larta dhe kapacitetet pritëse të saj janë pothuajse “sold out” ose plot, kjo tregon se çmimet justifikojnë cilësinë e shërbimit. Madje administruesit e kësaj njësie kanë të drejtë edhe të ngrenë çmimet duke i qëndruar besnik rregullave te ekonomisë së tregut.
Ama nëse një njësi e tillë, do kishte çmime të larta dhe do ishte pothuajse e zbrazët, kjo tregon që kur vizioni është i gabuar, të çon në falimentim.
Nga ana tjetër, jo domosdoshmërisht çmimet e ulëta japin rezultat kur struktura është e mirë, por shërbimet janë “ngelëse”.
Industria e turizmit është e komplikuar por tepër e rëndësishme për ekonominë dhe të ardhmen tonë, për t’a lënë në dorë të zhvillimit spontan apo amatoresk.
Nëse ritmi i ngritjes se sasisë dhe cilësisë së shërbimeve tona të kësaj industrie, nuk ecën me ritmin e zhvillimit infrastrukturor dhe marketues të imponuar nga qeveria, mund të ndodhë që fluksi të kthehet në dështim në rastin më të keq, ose në rezultat të vakët, në rastin më të mirë.
Nuk e kemi luksin ta shndërrojmë industrinë e turizmit në bumerang për ekonominë.
Detajet bëjnë diferencën.
Pse së fundmi shqiptarët po zgjedhin të kalojnë pushimet verore te fqinjët tanë,kur edhe aty, shkojnë më së shumti për turizmin e diellit dhe të detit?!
Të njëjtin lloj turizmi e ofron edhe bregdeti shqiptar.
Sepse janë detajet që bëjnë diferencë dhe ndikojnë në vlerësimin e raportit çmim/cilësi.
Në plazhet e qyteteve jashtë kufirit, shqiptaret gjejnë (fatkeqesisht) çka përgjithësisht nuk e ofrojmë në bregdetin tone :
– Shërbim-all inclusive ,në çmim favorizues. Ku përfshihet transporti,akomodimi, ushqimi dhe pijet 24/24 orë, pastërti, qetësi, respekt, përulje.
– Restoracion, plazhe dhe ambiente akomoduese, ku nuk je i detyruar të dhunohesh nga ndotje akustike. Në restorante mund të shijosh ushqimin në qetësi (përveç asnjë lloj muzike, nuk dëgjohen as ulërimat e stafit dhe madje as zhurma e tavolinës ngjitur) Mund ta shijosh kafen e mëngjesit duke dëgjuar muzikën e valëve të detit, jo tallavanë apo techno/house/ latine që në pikë të sabahut. Cilido që do të dëgjojë muzikë me orar dhe pa orar, që nga simfonike deri te metali, mund ta bëjë me kufje, pa i rënë në qafë gjithë plazhisteve.
Diskotekat jane të gjitha të mbyllura dhe askujt nuk I kthehen pushimet në makth per shkak të pagjumesisë nga zhurma e ndotjes akustike.
– Plazhi privat apo publik, është po njësoj i pastër.
– Sipërfaqet e plazheve publike janë në raport më të drejtë me ato private, dhe jo në situatën që plazhet private marrin gjithë cilesinë, dhe çfarë ngelet që nuk e duan privatet, ngelet plazh publik.
– Lokacionet janë me higjenë shembullore dhe bashkitë janë në lartesinë e duhur për të ofruar higjenë, kontroll territori, rregull, imazh.
– Plazhet private nuk i kanë çadrat aq ngjitur sa po të duash të shtriqesh, ndodh të prekësh padashje kurrizin e gjitonit. Nuk gjen bishta cigaresh e mbeturina frutash poshtë shezlongut që ke paguar për ta patur të pastër.
– Plazhet private nuk u jepen në administrim personave që nuk kanë asnjë lidhje me industrinë e turizmit, asnjë standard qytetar, kulturor apo dijesh sesi administrohet,çfarë duhet ofruar dhe nuk duhet ofruar në një plazh privat. Askush në plazhet private nuk i ndjek familjarët sepse nuk do fëmijë në plazh, siç ndodh rëndom tek agallaret tanë të plazheve private.
– Mëngjesi i paguar në çmimin e dhomës,është i bollshëm dhe askush nuk të numëron vezët e ngrëna dhe të mundohet “të nxjerrë dhjamë nga pleshti”
– Çmimi që duhet të paguash në një resort me 5 yje- all inclusive jashtë kufijve (Turqi ose Mal i Zi psh), është gati sa gjysma e asaj që të duhet për të paguar vetëm akomodimin në një hotel me 3 yje( 5 të supozuar) në shumicën e hoteleve në Shqipëri(kryesisht Dhërmi),
– Paketa “all inclusive”, nuk përfshin vetëm akomodim/ushqim/pije/plazh, po edhe një sërë eventesh artistiko-kulturore-sportive, ku gjithë familja e kalon kohën në mënyrë aktive.
– Sjellja e stafit dhe vizioni i administratorëve të njësive akomoduese jashtë kufijve, është ajo e të bërit cmos që klienti të kënaqet aq shumë, sa të dojë të rikthehet. Jo të “mprehë spatën e përfitimit” dhe kë të zëri të zëri.
– Gjen menu turistike me cmime të përshtatshme, ku në masë të madhe ofrohen gatime tradicionale gjithashtu, Që shoqërohen me pije prodhimi lokal (birra, verë apo pije tradicionale). Sepse janë pikërisht këto që kërkojnë të provojnë turistët! Si mundet që në pjesën më të madhe të lokaleve, të mos ofrohet birrë ose verë vendase (krahas atyre te importit)?! Si mundet ti thuash turistit të huaj kur pyet, se ka vetëm birra të huaja dhe aq më keq, të gjitoneve tanë, që nuk është se në industrinë e prodhimit të birrës qëndrojnë më lart se ne?! Sigurisht ti mund të mbash edhe birrë greke, malazeze etj nëse do, por nuk ka sens që të mos kesh në menu asnjë birrë shqiptare!
Jugu i Shqipërise e vuan shumë këtë mangësi. Veriu eshte më mirë.
– Etj,etj,etj…
Te veprojmë sa nuk jemi tepër vonë.
Administratorëve të njësive hoteliere shqiptare, në mase të madhe, u ka dalë situata jashtë kapacitetit të aftësive menaxhuese.
Bashkitë, bregdetare sidomos, me pak përjashtim, nuk janë në lartësinë e misionit të lubrifikimit drejt suksesit të industrise së turizmit, të detyrave dhe rolit që atyre u takon të luajnë.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka mbi të gjitha përgjegjësine të udhëheqë drejt futjes së turizmit shqiptar në shinat “pa kthim pas” drejt të qënit destinacion turistik afatgjatë.
Duhet hapur nje debat i gjerë.
Duhet nje studim dhe analizë e detajuar e sezoneve turistike, bazuar në statistika të sakta.
Duhet patjetër të kalojë në skaner cdo hap, duke u krahasuar njkohesisht me fqinjët tanë edhe më gjerë.
Duhet një plan pune me afate dhe përgjegjësi rezultatesh ndaj të gjithë aktorëve: agjenci turistike, njësi administrative, institucione shtetërore, dhoma tregtie, shoqata turistike, bashkitë, ministritë e interesit.
Një nga sfidat më emergjente që ka të bejë direkt me cilësinë e sherbimeve, është mungesa në sasi por mbi të gjitha në cilesi, e krahut të punës që ka nevojë industria e turizmit dhe jo vetëm. Shkolla profesionale duhet të gjejë rrugën për t’u bërë opsion primar për të rinjtë tanë.
Turizmi Kreativ- mundësi e re për sukses gjithëvjetor.
Turizmi Kreativ, në fakt nuk është “gjetje” e re, sepse prej kohësh turistët janë të tërhequr nga idea e të mësuarit të një eksperience të re gjatë pushimeve. Ky po kthehet në nj ëtrend të ri në zhvillimin e industrisë së turizmit.
Sondazhet kanë treguar se është në rritje numri I turistëve që nuk duan thjesht një vizitë në muze, apo turizëm diellli dhe plazhi, por të mësojne më shumë nga kultura e përditshme, që konsiderohet “reale dhe e vërtetë”.
Koncepti për të tërhequr këta lloj turistësh që nuk “mbyllen” nëpër resorte gjigande, por e vendosin vetë lidhjen me kulturën vendase dhe i kthejnë pushimet në ditë ineraktive ku ndihen më të përfshirë dhe pjesëmarrës.
Pra Turizmi Kreativ, nëprmjet ofertës së organizuar, i jep mundësine kujtdo turisti që shkon në Itali për të mësuar si bëhen makaronat artizanale apo pica, shkon në Ibiza dhe mëson si të jetë DJ, në Kuba për të mësuar kërcimin, në Portugali apo Francë sesi të mësojë të degustojë verën dhe të mësojë më shumë për vreshtat…dhe pse jo në Shqipëri ku të mësoje artin apo zejet tona, gatimet tradicionale, te luaje cifteline, lahuten,etj.
Ky lloj turizmi, përvecse në një trend rritës në industrinë e turizmit, quhet Turizëm Kreativ pikërisht se nuk ka nevojë për investime të mëdha financiare, por vetëm për kreativitet dhe organizim,
Dhe mbi të gjitha, është lloj turizmi që mund të shtrihet gjatë gjithë vitit, pa pritur një sezon të vecantë klimaterik.
E gjithë cfarë na duhet pra, është të ruajmë pasionin, të përdorim kreativitetin, të mësojmë nga konkurenca, të përpiqemi parreshtur të ofrojmë diferencën në këtë industri, të jemi rigorozë në respektin ndaj mjedisit dhe higjenës, të kryejmë “detyrat e përditshme” të gjithë ne; si qytetarë, si biznese, si institucione.
Suksesi varet vetëm nga ne!
Zoti e ka bërë të tijën me bujari.