Pavarësisht se vitet kanë kaluar, futbolli në Itali vazhdon të vuajë ende disa probleme. Një prej tyre është trukimi i ndeshjeve, teksa të reja të rëndësishme vijnë nga mediat italiane.
Mafia Camorra dhe mashtrimi sportiv kanë qenë disa nga çështjet e fundit që kanë zgjuar përsëri gjykatat në Itali. Mësohet se gjykata e Napolit ka dënuar me pesë vjet burg Armando Izzon, futbollist ky që aktivizohet në radhën e Monzës.
Ndeshja për të cilën është dënuar Izzo është Modena-Avellino, e luajtur më 17 maj 2014.
Jo vetëm ky lojtar e ka pësuar, por ka patur dënim edhe për 2 persona të tjerë. Kushëriri i Izzo-s, Umberto Accurso dhe Salvatore Russo, që besohet se ishin të lidhur me të njëjtin klan, u dënuan gjithashtu, të dy me një vit e gjysmë.
Kjo nuk është hera e parë që lojtari i njohur ndëshkohet për këtë arsye. Para më shumë se 6 vitesh, Izzo u dënua me 18 muaj pezullim, por Federata e Apelit e shkurtoi në gjashtë muaj. Asokohe 25-vjeçar, ai u ndalua për akuzat në lidhje me fiksimin e ndeshjeve në kohën sa ishte pjesë e Avellinos në Serie B, duke dështuar të raportojë aktivitetin e paligjshëm gjatë ndeshjeve me Modenën dhe Regginën në vitin 2014.
Sa i përket jetës futbollistike, mbrojtësi italian 31-vjeçar ka luajtur për disa sezone te Genoa, por edhe në Torino.