U ndoq këmba këmbës, si u ekzekutua në mesnatë me breshëri plumbash 35-vjeçari në Vlorë

Një tjetër atentat ka tronditur mbrëmjen e djeshme Vlorës në mesnatë. Viktima është shtetasi Shkëlzen Velaj, një emër i njohur për policinë e Shtetit.

Burimet bëjnë me dije se viktima ka qënë duke hyrë në shtëpi, ku pranë pallatit ka vërejtur se ka qënë duke u ndjekur nga një makinë.

Ai e ka lënë makinën e tij ndezur dhe ka ikur me vrap për t’u futur në banesë, në katin e 5 të pallatit.

Mirëpo në momentin kur u afrua pranë derës, atentatori ka lëshuar breshëri plumbash, në një distancë të afërt, në drejtim të tij.

Në trupin e Velaj është lëshuar një karikator automatiku, që i kanë kushtuar jetën 35-vjecarit.

Autorët pas atentatit janë larguar në drejtim të rrugës së lumit të Vlorës, në afërsi të fshatit Risili pranë “Bay passit” ku kanë braktisur makinën tip BMW pa targa dhe e kanë djegur ndërsa janë larguar në drejtim të paditur.

Mendohet se autor të ngjarjes janë më shumë se dy persona.

NJOFTIMI:

Rreth orës 23:55, në lagjen “24 Maji”, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi Sh. V., rreth 35 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Vlorë si pasojë e plagëve të marra.

Gjatë krehjes së zonës, në afërsi të fshatit Risili, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur , i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes.

Vijon krehja e zonës nga shërbimet e DVP Vlorë, për kapjen e autorit/ve.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes./albeu.com/

 

 


Shtuar 3.06.2021 08:05