Tronditet Tetova, 45-vjeçari i pret kokën nënës me sëpatë tre javë pas daljes nga psikiatria

Tetova u trondit sot pas lajmit tragjik, kur një 45 vjeçar me inicialet U.D. nga fshati Sellcë me sëpatë i preu kokën nënës së tij 73 vjeçare. I dyshuari mësohet se ka tre javë që është lëshuar nga spitali psikiatrik i Bradovcës , ndërsa atje ka qëndruar rreth 3 vjet. Policia të dyshuarin ka arrestuar rreth orës 8:30 ndërsa me urdhër të prokurorisë të njëjtit i është caktuar edhe masa e paraburgimit.

“Sot rreth orës 8:30 pjesëtarë nga sektori për punë të brendshme Tetovë kanë privuar nga liria personin U.D. 45 vjeç nga fshati Sellcë i Tetovës, i cili paraprakisht ka kryer vrasje ndaj nënës së tij 73 vjeçare N.D. nga i njëjti fshat. Veprën e ka kryer me një mjet të mprehtë, rastin në vendin e ngjarjes e kanë hetuar edhe nga prokuroria e Tetovës, ndërsa trupi është dorëzuar në obduksion.”

Qamil Kovaçi, drejtor i psikiatrisë në Shkup, thotë pacienti i tyre me vetë iniciativë ka kërkuar që të lëshohet nga spitali me 21 shkurt në këtij viti, ndërsa shton se në këtë spital ai trajtohet kohë pas kohe nga viti 2009.

“Nga viti 2009 është pacient në spitalin tonë. Është pacient me ndërprerje. Ndërsa nga viti 2017 – 21 shkurt 2022 është trajtuar në spitalin tonë. Me vetë iniciativë është larguar nga spitali dhe shërbimet tona kanë vendosur në kontakt me vëllain e tij dhe ai na ka konfirmuar se është kthyer në shtëpi edhe ka kërkuar që ta ç‘lajmërojmë dhe ta mbajmë në shtëpi. Ne i kemi dhënë udhëzime për shfrytëzim të medikamenteve dhe nga ajo ditë nuk kemi pasur informata”.

TV21 shkoi në Sellcë, por banorët nuk deshën të flasin para kamerave për këtë tragjedi.

“Banorët e fshatit Sellcë nuk duan të komentojnë rastin e ditës së sotme, por për ta fajtor mbeten institucionet shtetërore që nuk merren aq sa duhet me trajtimin e këtyre personave”, raporton gazetari TV21, Senat Zylbehari./tv21


Shtuar 8.04.2022 22:09