Trollet politike në rrjetin social Facebook në Shqipëri/ Si janë pozicionuar në zgjedhjet e 25 prillit: Rastet e Ramës dhe Bashës

Oliverda Allmuça

Algoritmet e kanë ndryshuar botën. Madje autoriteti që kaloi nga hyjnitë qiellore te njerëzit prej mishi dhe gjaku, mund të pësojë një tjetër kapërcim dhe të kalojë pikërisht në këto algoritme. (Harar 2018)

Mënyra sesi zhvillimi galopant i teknologjisë ka pushtuar edhe detajet më të imëta të jetës sonë, ka lënë gjurmët e veta edhe në politikë.

Ndryshe nga vite më parë, kur audienca dhe votuesi i mundshëm gjendej përballë ekranit të televizorit dhe bombardohej me mesazhe të panumërta politike pa mundur të kishte të drejtën e replikës, me kalimin në Internet ka marrë një peshë të madhe dhe vendimtare në komunikimin që aktorët politikë zhvillojnë, sidomos në prag fushatash zgjedhore.

Në Shqipëri jemi vetëm pak javë larg zgjedhjeve parlamentare dhe mitingjet janë ndaluar për shkak të situatës që ka shkaktuar pandemia e COVID-19, duke shmangur kështu grumbullimet më shumë se 10 persona. Kjo ka bërë që rrjetet sociale të fuqizohen ndjeshëm dhe të përdoren akoma më shumë nga politikanët shqiptarë, të cilët edhe para pandemisë ndodheshin në këto hapësira virtuale, por që nga marsi i vitit 2020 u vu re një orientim akoma më i madh drejt tyre. Veçanërisht gjiganti Facebook, i cili sipas Alexa.com është faqja sociale më e vizituar në Shqipëri, nisi të përdoret në mënyrë masive nga politikanët si një katalizator i shkëlqyer për kontaktin e tyre me votuesit.

Por çfarë u vu re në postimet e faqeve zyrtare të dy politikanëve që gjenden përballë njëri-tjetrit në këto zgjedhje, kryeministrit Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha?

U vu re ekzistenca e trolleve, një fenomen i njohur në botë dhe i hasur në Shqipëri.

Mediat sociale në Shqipëri, por edhe figura të ndryshme politike kanë folur shpeshherë për një ushtri trollesh që komenton pozitivisht ose negativisht në faqet e politikanëve, duke ngritur hipotezën se një grup njerëzish paguhen për të bërë trolling, por nuk ka pasur një analizë konkrete lidhur me këtë fenomen.
Ky shkrim synon të shpjegojë termin troll, të bëjë një renditje të karakteristikave kryesore të një profili-troll, të shqyrtojë qasjen e trolleve në rrjetet sociale të dy drejtuesve të kaheve politike në Shqipëri për zgjedhjet e 25 prillit dhe të analizojë gjuhën e përdorur nga trollet.

Hipoteza që ngrihet është ajo se trollet në Shqipëri, në prag zgjedhjesh përdoren për të forcuar imazhin e kandidatit dhe ndaj pozicionohen në mbrojtje.

Çfarë janë trollet politike?

Vetë fjala troll daton shumë kohë më parë dhe simbolizon një krijesë imagjinare, zakonisht me përmasa shumë të mëdha ose shumë të vogla që përmendet në historitë tradicionale skandinave, që ka fuqi të mbinatyrshme dhe jeton në male ose në shpella. Kryesisht figura të tilla kishin një ngjyresë negative dhe merrnin role antagoniste. Por fjala troll, në internet ka marrë një kuptim të ri dhe nënkupton një profil, një mesazh ose një veprim (trolling) që ka si synim të postojë në internet një mesazh të bezdisshëm ose ofendues, në mënyrë që të shqetësojë një person të caktuar, të rrëmbejë vëmendje dhe të mbjellë përçarje duke postuar përmbajtje që provokon debat.

Kohët e fundit, trollet janë organizuar duke krijuar ato që në internet quhen “troll farm” (ferma trollesh), të cilat kanë një sistem shumë specifik dhe një axhendë të përcaktuar politike.Raste konkrete nga bota, ku trollet politike kanë arritur të ndërhyjnë në çështje shumë të rëndësishme janë zgjedhjet presidenciale të 2016 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zgjedhjet u fituan nga Donald Trump, ndërsa vetëm pak kohë pas rezultatit, fitorja e tij filloi të emërtohej si “Trump fake-news Presidency”, pas hetimeve për ndikimin e lajmeve të rreme të prodhuara nga profile të automatizuara (BOTS) dhe ato të porositura. (Linvill dhe Warren, 2018)

Këto ferma trollesh, zakonisht sponsorizohen nga palët politike dhe menaxhohen nga agjentë të cilët krijojnë një sërë llogarish të rreme në mediat sociale dhe personat (që ndryshe quhen “puppet”), me këto profile përhapin dezinformata dhe propagandë me qëllim që të lëkundin mendimet, destabilizojnë shoqërinë dhe madje të arrijnë deri aty sa të ndikojnë në zgjedhje.

Pse është i rëndësishëm analizimi i trolleve, efekti i tyre në audiencë

Në këtë shkrim nuk është e rëndësishme vetëm të zbulohen karakteristikat e trolleve në mënyrë që t’i njohim ato në lëmën e rrjetin, por gjithashtu të krijohet te publiku një lloj barriere dhe filtri lidhur me trollet politike dhe efektin e madh që ata kanë në manipulimin e votuesve potencialë. Në këtë mënyrë edhe qytetarët e thjeshtë që përdorin masivisht rrjetet sociale të mos gjenden plotësisht të paarmatosur përballë trolleve dhe efektit të tyre manipulues.

Në një studim të Pew Research Center, me qendër në Uashington, u arrit në përfundimin se interneti dhe aksesi ndaj teknologjisë i ka bërë njerëzit më të informuar, por edhe më të lehtë për t’u manipuluar.

Ky detaj provon edhe njëherë forcën e madhe që kanë trollet politike në ndikimin e audiencës, duke arritur deri aty sa të ndryshojnë plotësisht bindjet e tyre politike dhe deri në rrezikimin e demokracisë.Në këtë pikë, kemi realitetin e hidhur kur demokratizimi i komunikimeve nëpërmjet mediave sociale, fakti që të gjithë e kanë mundësinë për të komunikuar, kthehet në një rrezik për vetë demokracinë. Kemi një rast ironik, pasi një mjek demokratik i kthehet kundër dhe e dëmton demokracinë.

Në një kohë kur njerëzit preferojnë t’i drejtohen më shumë rrjeteve sociale për t’u informuar, gjendja bëhet akoma më serioze pasi mundësia për manipulim rritet më shumë. Ndryshe nga përdorimi i BOTS (profile të automatizuara), trollet menaxhohen nga njerëz realë, gjë që e bën më të sofistikuar procesin në tërësi, duke u bërë edhe më i vështirë dallimi i tij.Kjo pasi ndryshe nga BOTS të cilët kanë një gjuhë tërësisht mekanike, të automatizuar dhe shpesh me shumë gabime për shkak të përkthimit kompjuterik, trollet zgjedhin me kujdes kë personazh sulmojnë ose mbrojnë, zgjedhin me kujdes argumentet, dinë si të provokojnë debat dhe madje edhe gabimet drejtshkrimore bëhen qëllimisht për t’u dukur të shkujdesur.

Profili i dy drejtuesve më të lartë të kaheve politike Edi Rama dhe Lulzim Basha

Në kërkimin e fundit të bërë me një vëzhgim në profilet zyrtare të dy politikanëve që do të garojnë këto zgjedhje, bie në sy numri i lartë i ndjekësve në të dyja palët, por që kryesohet ndjeshëm nga Rama me më shumë se dyfishin e ndjekësve të Bashës.

Konkretisht:

Fig.1

Në vëzhgimin një javor, janë nxjerrë edhe statistikat e postimeve që Rama dhe Basha kanë bërë në profilet e tyre zyrtare në rrjete sociale për 7 ditë nga data 1-7 shkurt 2021, ku është vënë re se kreu i qeverisë ka një numër më të lartë të postimeve, por me një diferencë jo shumë të madhe nga Basha.

     Fig.2
Ndërkohë përsa i përket numrit të postimeve për secilën nga ditët, vëmë re se Rama përpiqet të ketë një numër postimesh të njëjtë në të gjitha ditët, përgjithësisht deri në 10 postime në ditë, ndërsa kreu i opozitës ka një luhatje të ndjeshme në postimet e ditëve të javës të cilat nisin nga zero deri në 13 postime.

                                                       

                 Fig.3                                                                                                                           Fig.4

Por në mënyrë që t’i afrohemi edhe më shumë synimit të këtij shkrimi, u desh që të numëroheshin edhe komentet në postimet e javës, nga ku u pa se Rama kryesonte bindshëm në rrjete sociale me një numër shumë të lartë komentesh.

          Fig.5

Kryesisht përgjatë vëzhgimit u vu re se Rama kishte një mesatare komentesh për post rreth 450, ndërsa Basha rreth 150.

Kur një profil mund të quhet troll në rrjetet sociale në Shqipëri?

Në vëzhgimin e bërë në profilet e Ramës dhe Bashës u vu re se disa profile kishin disa karakteristika të ngjashme, të cilat bazuar edhe në studimet perëndimore i përkasin trolleve.

Kështu rezultatet treguan se trollet politike në Shqipëri kanë këto karakteristika:

• Profili i tyre në rrjet figuron zakonisht si faqe, pra jo si një profil individual (page)
• Numri i pëlqimeve në këto faqe varion nga 70 deri në 150 like
• Profili i tyre mund të ketë edhe një emër që tingëllon si një person real, por kur e hap llogarinë nuk ka aktivitet të besueshëm (nuk ka numër shokësh, nuk ka fotografi reale, nuk ka të dhëna)
• Fotot e profilit janë të marra në internet
• Emrat e përdorur shoqërohen me mbiemra kafshësh (X Çakalli)
• Emra e përdorur shoqërohen me emra qytetesh ( Y Durrës)
• Profilet troll ose janë në sulm ose në mbrojtje
• Në Shqipëri ekzistojnë edhe profile të personave që punojnë në administratë dhe që i përkasin personave realë që për shkak të detyrës, detyrohen ose preferojnë të komentojnë rregullisht dhe vetëm pozitivisht në postimet e kryeministrit, por ky rast kërkon një studim tjetër më të zgjeruar

Si ndahen trollet në profilet e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha?

Gjatë vëzhgimit u vu re se trollet në profilin e kryeministrit Edi Rama, ndahen në dy kategori kryesore:
-trollet që mbrojnë punën e qeverisë, figurën e kryeministrit Rama dhe që kritikojnë opozitën
-trollet që kritikojnë qeverinë, i kërkojnë llogari kryeministrit Rama dhe që lavdërojnë opozitën

Në këtë rast trollet e menaxhuara nga qeveria përpiqen të forcojnë imazhin e liderit të Partisë Socialiste, Edi Ramës pasi ky i fundit e ka përqndëruar të gjithë forcën e qeverisë në imazhin vetjak. Kryesisht komentet mbrojtëse kanë argumenta subjektive. Trollet e marra në analizë përgjatë javës së parë të shkurtit, kanë si synim kryesor ndikimin e ndjekësve në rrjet për të votuar PS dhe Edi Ramën në mënyrë që t’i sigurojnë mandatin e tretë në pushtet. Duhet thënë se këto trolle nuk kanë si synim primar uljen dhe cënimin e opozitës në rrjete sociale, pasi në profilin e kreut demokrat Lulzim Basha gjenden pak komente negative.

Ndërkohë në profilin e Lulzim Bashës, u vu re se trollet ndahen në dy kategori kryesore që kryejnë të njëjtin funksion por në pozicion të anasjelltë:
-trollet që mbrojnë punën e opozitës, figurën e Bashës dhe kritikojnë qeverinë Rama
-trollet që i quajnë mashtrime premtimet e opozitës, kritikojnë figurën e Bashës dhe kujtojnë ngjarje të caktuara si Gerdeci

Trollet që menaxhohen nga opozita përpiqen që të bindin votuesit potencialë që konsumojnë kohë në rrjete sociale, se PD ka një program shumë të mirë për zgjedhjet e 25 prillit dhe se ndaj duhet të votohet. Kryesisht komentet janë lavdëruese dhe një nga argumentet kryesore pse duhet të vijë PD në pushtet sipas trolleve është keqqeverisja nga Partia Socialiste. Ndërkohë pak trolle të opozitës mund të gjenden në profilin e Edi Ramës, por gjithsesi ekzistojnë.

                                                                   

    Fig.6

Trollet në Shqipëri pozicionohen në mbrojtje kur ka zgjedhje

Një nga vëzhgimet kryesore që u bë në profilet e Ramës dhe Bashës, lidhet me numrin e komenteve pozitive dhe negative në postet e personazheve të përzgjedhura.
Të gjitha këto shifra të paraqitura edhe në tabela, na ndihmuan të shohim më qartazi përqëndrimet më të mëdha të trolleve, për të bërë përpjekje për të kuptuar mënyrën sesi kanë zgjedhur të veprojë “ferma” e tyre në zgjedhjet e 25 prillit.
Kujtojmë nga grafiku në Fig.5 se komentet në rrjete sociale për një javë ishin rreth 15 mijë në postet e Lulzim Bashës dhe 28 mijë në postet e Edi Ramës, shifra këto goxha të konsiderueshme.
Pas vëzhgimit u vu re se trollet kryesisht janë në mbrojtje. Vëzhgimi u bë për 14 postime (një për secilën ditë të javës), 7 në profilin e Edi Ramës dhe 7 në profilin e Bashës ku raporti shtrihej kryesisht njësoj. Konkretisht:

  Fig.7

Fig.8

Pra sipas vëzhgimit vëmë re se trollet e të dyja palëve e vënë fokusin te forcimi i imazhit të kandidatit dhe mbrojnë punën e secilës palë.
Në vëzhgimin 1 javor të trolleve në profilin e Ramës, dilet në përfundimin se 71% e trolleve komentojnë pozitivisht, ndërsa në profilin e Bashës rreth 73% .

Gjuha e përdorur nga trollet në profilet e të dy aktorëve të rëndësishëm të politikës

Trollet politike në Shqipëri kanë një synim të qartë: Ata duan të turbullojnë votuesin dhe ta bindin që një kandidat dhe një parti është e duhura dhe kundërshtari jo.
Prandaj asnjë mesazh që ata hedhin në rrjete sociale nuk është i “pafajshëm”, madje krejt e kundërta, ndërtohet në mënyrë të tillë që të ketë një rezultat ose impakt fundor që i shkon për shtat qëllimit të trollit.

Cfarë doli në pah nga vëzhgimi një nga një i komenteve në të dyja faqet zyrtare:

• Trollet ndahen në profile që e përzgjedhin gjuhën dhe nuk bëjnë gabime drejtshkrimore dhe trolle që shkruajnë të shkujdesur dhe me shumë gabime.

Për këtë pikë, ekspertja e komunikimit, Edlira Gjoni shprehet se rasti i trolleve që e përzgjedhin gjuhën është edhe më i rrezikshëm.
“Një njeri që ka gjuhë të përzgjedhur dhe bën luftë online, është më i rrezikshëm se dikush me kuotë inteligjence më të ulët. Jo vetëm në shqip, por në çdo gjuhë të botës, mënyra se si shkruhet teksti është treguesi i parë i nivelit të inteligjencës së një njeriu. Prandaj, ata që e shkruajnë shqipen plot me gabime në internet, me zhargon e me shpërthime emocionale, nuk shfaqin rrezik të madh. Madje, përdorimi i gjuhës së rrugës e me gabime është element përbërës i minimizimit të ccështjes dhe kundërshtarit, shpërfillje, shpoti ndaj tij. E gjitha bëhet për të manipuluar situatën, njerëzit, mendimet e proceset.” (Edlira Gjoni, 2021)

• Kur pozicionohen në mbrojtje, trollet përdorin kryesisht argumente subjektive dhe me superlativa. (shembull i marrë në profilin e kryeministrit Edi Rama: Rama, je lideri më i mirë që ka pasur Shqipëria)

Për raste të tilla, Erlis Çela ekspert komunikimi dhe pedagog, shprehet se trollet kanë si synim të krijojnë një imazh pozitiv të ekzagjeruar për një politikan apo një figurë publike, ata postojnë informacione të hiperbolizuara ose manipulojnë faktet në favor të politikanit për të cilin punojnë, por kanë një ndikim afatshkurtër.“Në këto raste qëllimi i fshehur është të orientojnë opinionin e pjesës tjetër të audiencës që ndjek të njëjtin politikan, por që mund të ketë një mendim disi më të balancuar. Krijimi i një rrjedhe informacioni pozitiv për politikanin përmes postimi të komenteve me superlativa dhe argumente të subjektive, synon të krijojë përshtypjen e një mbështetje të madhe nga ana e publikut. Mendoj se komentet apo i gjithë aktiviteti në rrjet që vjen nga llogari të rreme, krijon një ndotje të mjedisit informativ. Në plan afatgjatë trollet sjellin pasoja negative në imazhin e vetë politikanit apo personit që synon të përfitojë prej tyre. Përgjithësisht përfitimet nga trolling janë afatshkurtra dhe mund të ndikojnë te një votues i painformuar.” (Erlis Çela, 2021)

Nga ana tjetër, Edlira Gjoni shprehet se votuesi shqiptar kryesisht nuk thellohet, ndaj ai është i ndikueshëm nga efekti trolling.
“Për fat të keq, studimet e ndikimit të trollsave në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA treguan se retorika të tilla funksionojnë. Ndikimi i tyre tek votuesi ndryshon në varësi të arsimit, punësimit, interesave, angazhimit social dhe vetë-aktualizimit të secilit votues. Sa më afër nivelit baze të piramidës së Masloë të jetë votuesi, aq më shumë ndikohet prej trolleve. Sa më lart, aq më e ulët është kjo mundësi. Por, ne e dimë që votuesi shqiptar nuk thellohet, nuk është i dhënë pas leximit të hollë apo pas mendimit të pavarur. Rrjedhimisht, masa më e madhe është audiencë (pra votues) që ndikohet lehtë nga argumentet subjektive, nga batuta, manipulimi, propaganda dhe makinacionet.” (Edlira Gjoni, 2021)

• Trollet përdorin gjuhë urrejtjeje, fjalë ofenduese, kërcënime dhe fjali nxitëse për vepra kriminale (Shembull i marrë në profilin e kryedemokratit Lulzim Basha: Ky duhet vrarë)

Duke marrë parasysh vetë natyrën e trollit dhe synimin për të shkaktuar debat, mërzi dhe për të manipuluar, gjendja bëhet vërtet serioze kur gjuha kthehet në një armë të fortë për të ngjallur urrejtje, për të prekur në jetën personale të personazheve publike apo për të nxitur kundër tyre zemërim dhe akte të rrezikshme.
Për këtë pikë Edlira Gjoni shprehet se duhet me patjetër të ketë një rregullator.

“Duhet rregullator. Duhen filtra. Duhet mekanizëm mbrojtës ndaj sigurisë dhe shëndetit mendor të njerëzve . Disa e sulmojnë këtë qëndrim, duke e ngatërruar me cenimin e lirisë së fjalës, nëse vendosen filtra e rregulla. Në fakt, pa to bëhet vrasja më flagrante që i bëhet fjalës, duke e keqpërdorur apo mbytur me metoda të tilla fyese, manipuluese dhe urrejtjeje. Shqetësimi më i madh sot është se trollsat janë në përgjithësi njerëz të pa përmbushur, me deficenca dhe dështime në jetë, por që janë aq aktive e shtuar aq shumë, saqë po bëhen burimi kryesor i ankthit, stresit dhe depresionit për personat që sulmojnë. Trollsat janë sot burimi më i madh i problemeve të shëndetit mendor, uljes së vetëbesimit dhe tërheqjes nga jeta aktive e personave të sulmuar.
Ndaj, të tilla sulme e të tillë njerëz, patjetër duhen rregulluar, filtruar e ndaluar. Për të mirën e përbashkët!” (Edlira Gjoni, 2021)

E ardhmja e trolleve

Teknologjitë e komunikimit në rrjet, për mirë dhe për keq, bënë të mundur që gjithësecili të ketë një zë. Platformat si Facebook, Twitter dhe YouTube kanë arritur në atë pikë sa e kanë demokratizuar pjesëmarrjen në fushatat zgjedhore si asnjëherë më parë.
Por bashkë me këto mundësi të pafundme, ngrihet edhe rreziku që i kanoset zgjedhjeve dhe demokracisë, të cilat të gjendura përballë “fermave” të trolleve iu vështirësohet lufta.

Por a do të ketë një rregullator në hapësirat virtuale që të merret me moderimin e komenteve që përdorin gjuhë urrejtjeje, fjalor denigrues apo nxisin dhunë? Për këtë ekspertët janë akoma të dyzuar dhe në vështirësi për të gjetur një zgjidhje që të dalin në një konkluzion përfundimtar.
“Një nga sfidat më të mëdha në të ardhmen, do të jetë gjetja e një balance të përshtatshme midis ruajtjes së anonimitetit dhe lirisë së fjalës dhe nga ana tjetër përballja me pasojat, e atyre që bëjnë deklarata abuzuese në rrjet”-shkruan eksperti Bailey Poland.

Por deri sa të vijë një moment që bota të ndalet dhe të vendosë sesi do t’a menaxhojë këtë fenomen të ri, trollet do të vazhdojnë të jenë pjesë e ligjërimit politik në hapësirat virtuale dhe do vazhdojnë të kenë synime të qarta për të ndikuar në veprimin më të rëndësishëm që rrotullon politikën dhe ideologjitë: Votimin!
Prandaj nëse të njëjtat teknologji që shoqëria ka shpikur për të ndihmuar individët të ndjekin ëndrrat e tyre, sot po rindërtojnë këto ëndrra sipas interesave, si mund t’i besojmë mesazheve në rrjet?

*Ky shkrim është pjesë e projektit “Task forca investigative: trollet politike në fushatat e shpifjes”, realizuar nga Qendra POLITIKO.

**Me mbështetjen financiare të programit të granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri


Shtuar 26.03.2021 11:40