Tritoli në shtëpinë e vëllezërve Duka, Hoxha: Mesazh kërcënues, ka dyshime për njerëz pranë Martinajt

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka analizuar ngjarjet e fundit kriminale në vend, duke u nisur nga më e fundit, ajo ku është vendosur tritol në banesën e babait të vëllezërve Duka.

Hoxha ka lidhur këtë ngjarje me atë të Don Boskos, ku u sulmua lokali në pronësi të Fatjon Murataj.

Sipas tij ata e kanë vendosur eksplozivin aty për të dërguar një mesazh kërcënues.

Fakti që është vendosur në një banesë në të cilën ka jetuar babai i vëllezërve Duka, por ka kohë që nuk jeton atje, por jeton në një banesë më brenda në lagje, me një sistem sigurie më të mirë. Familja Duka ka qenë pikërisht atje ku ka qenë operacioni “Fijet e krimit”, që u hoqën kamerat e sigurisë.

Nuk besoj se autorët e ngjarjes kanë patur dyshime se babai i Dukëve jetonte aty. Sipas meje ata e kanë vendosur eksplozivin aty për të çuar një mesazh kërcënues, për të thënë që ata janë gjallë. Dyshimet janë për njerëz të afërm apo të njohur, pjesë e grupit të Ervis Martinaj.  Leonard Duka është arrestuar në Belgjikë dhe ajo që u tha sot që është bërë për të penguar ekstradiminm, nuk besoj se është e vërtetë, sepse ne nuk kemi marrëveshje ekstradimi me Belgjikën.

Ne nuk e kemi ende një panoramë të qartë se sa janë përfshirë në këtë konflikt.  Këto ngjarje vërtetojnë atë që kemi thënë në fillim, që në eleminimin e Martinajt ka patur një aleancë grupesh kriminale.

Fakti që është goditur Murataj dhe tani klani Duka, tregon që ka patur një aleancë. Synojnë të tregojnë që janë në lojë dhe ta nxjerrin kundërshtarin nga strofulla”, tha Hoxha.


Shtuar 18.04.2023 22:37