Tregoi gishtin e mesit në Eurovision, reagon francezja: E keni keqinterpretuar (VIDEO)

Këngëtarja që përfaqësoi Francën në Eurovision 2023, La Zarra duket se nuk e priti aspak mirë rezultatin e dobët përfundimtar. Kënga e saj “Evidemment” ishte cilësuar si një nga të preferuarat përpara finales, por arriti të grumbullojë në total 54 pikë nga vlerësimi i jurisë.

Kur u shpallën votat e publikut Franca mori një rritje modeste prej 50 pikësh, duke e lënë atë me një total prej 104 pikësh në rezultatin final. Kur kamera iu drejtua këngëtares, ajo bëri një gjest të pahijshëm duke ngritur gishtin e mesit.

La Zarra ka sqaruar më pas se gjesti i saj është keqinterpretuar.

“Jam e lumtur që kam përfaqësuar Francën dhe botën frëngjishtfolëse në përgjithësi. Dua të sqaroj se nuk kisha ndërmend të ofendoja askënd me atë gjest. Ishte thjesht një shenjë zhgënjimi. Asgjë më shumë se kaq. Nuk kishte asnjë qëllim për të provokuar apo ndezur polemika. Më vjen shumë keq nëse kjo u keqinterpretua.”, tha këngëtarja.


Shtuar 16.05.2023 19:46