Transportuesit privatë i dhanë fund bllokadës në rrugën “Ilindenska”, për t’i hapur mundësinë dialogut me kryeministrin Kovaçevski dhe përfaqësuesit e Qytetit të Shkupit. Qëndrimi i këtillë i transportuesve privatë, vjen pas deklaratës së kryeministrit i cili tha se duhet të tërhiqen autobusët nga rrugët dhe të krijohen kushte për negociata.
“Ne menjëherë pas kësaj konference për shtyp do të përgatisim një kërkesë të re e cila do të jetë në kontekst të asaj që e tha kryeministri Kovaçevski me të cilën do i plotësojmë të gjitha sugjerimet e tij dhe do të presim të jemi të ftuar në takim. Unë në emër të “Slloboda Prevoz”, “Makekspres” dhe të gjithë transportuesve tjerë, dua ti falënderohem kryeministrit Kovaçevski i cili u inkuadrua me deklaratën e tij të fundit në zgjidhjen e këtij problemi”, u shpreh Lenin Jovanovski, “Slloboda Prevoz”.
Kryeministri Kovaçevski më herët gjatë ditës tha se nuk do ti pranojë në takim transportuesit privatë nëse nuk i tërheqin autobusët nga rruga. Ai shtoi se e ndjen si kërcënim deklaratën e transportuesve se mund të radikalozojë protestat nëse nuk gjendet zgjidhje. Kovaçevski shtoi se në takim po ashtu duhet të ketë përfaqësues të Qytetit të Shkupit. Ai tha se Qeveria nuk ka kompetenca për të paguar borxhin.
Kur do të plotësohen kushtet që të kemi dialog i cili do të bazohet në fakte, duke u inkuadruar të gjithë që janë kompetent për të zgjidhur problemin dhe kur ai dialog do të fillojë pa presion, respektivisht kur rrugët ti kthehen qytetarëve atëherë mund të kemi dialog, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër
Transportuesit privatë thonë se në asnjë moment nuk kanë bërë deklarata kërcënuese ndaj kryeminsitrit. Nga qyteti i Shkupit edhe sot nuk kanë dhënë asnjë detaj lidhur me përpjekjet e tyre për zgjidhjen e problemit e as për numrin e personave të interesuar të cilët janë paraqitur tek konkursi për linjat transportuese në kryeqytet./Alsat.mk