Transportonin emigrantë të paligjshëm, arrestohen dy të shpallur në kërkim

Dy persona kanë rënë në pranga pasi ishin shpallur në kërkim për transport të emigrantëve të paligjshëm.

Është arrestuar një 39-vjeçar, i cili bashkë me një 17-vjeçar transportonin me një automjet të marrë me qira, 8 emigrantë.

Po ashtu ka rënë në pranga një 27-vjeçar, i cili më datë 16.05.2023, në vendin e quajtur “Vasiar”, Memaliaj, ka braktisur automjetin me të cilin transportonte 4 emigrantë.

Njoftimi i policisë:

DVP Gjirokastër

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Gjirokastër, kanë vijuar hetimet e thelluara, si dhe veprimet operacionale, të koordinuara me policitë e qarqeve të tjera, për të identifikuar, kapur dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë autorët e rasteve të goditura më parë në fushën e dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt pagesave, për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin. Si rezultat:

-në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, Tiranë, u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Road Guard 70”, A. B., 39 vjeç, banues në Tiranë. Më datë 22.07.2023, 39-vjeçari dhe bashkëpunëtori i tij, një 17-vjeçar i arrestuar ditën e operacionit, transportonin me një automjet të marrë me qira, 8 emigrantë;

-në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, u ndalua shtetasi L. L., 27 vjeç, banues në Shkodër, pasi më datë 16.05.2023, në vendin e quajtur “Vasiar”, Memaliaj, ka braktisur automjetin me të cilin transportonte 4 emigrantë.

 


Shtuar 13.08.2023 16:35