Tragjike/ Kishin shkuar në piknik, përmbyset varka me nxënës shkolle, 12 të vdekur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Indi, ku të paktën 12 fëmijë dhe dy mësuesit janë mbytur në momentin kur varka me të cilën po udhëtonin gjatë një pikniku, u përmbys në një liqen në shtetin Gujarat.

Ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin nga uji 19 nxënës dhe dy mësues të tjerë, të cilët po i nënshtrohen trajtimit në një spital aty pranë.

Ndërsa shkaku i incidentit nuk dihet ende, dëshmitarët okularë thonë se varka ishte e mbushur përtej kapacitetit të saj prej 14 pasagjerësh.

Shumë prindër, kanë pretenduar se fëmijët nuk kanë pasur jelekë shpëtimi dhe kanë akuzuar autoritetet se rrezikojnë jetën e tyre, duke shkelur normat e sigurisë.

“Ky incident është rezultat i neglizhencës…ka përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të sistemit, qeverisë dhe shkollës”, tha një prind.

Disa prindër kanë pretenduar se nuk ishin të informuar për udhëtimin me varkë dhe incidentin.

Qeveria e Gujarat, ka urdhëruar një hetim për incidentin dhe ka kërkuar një raport brenda 10 ditëve.


Shtuar 19.01.2024 08:21