Tragjedia në Shkodër/ Flet mjeku Gjon Preçi: Alma Arrazi nuk kishte probleme madhore…

Ditën e djeshme, janë publikuar dhe momentet e fundit kur Alma Arrazi, së bashku me fëmijët del nga një lokal në Shkodër për të marrë pa kthim rrugën drejt vdekjes.

Por pyetja që lindi nga e gjithë kjo tragjedi që tronditi mbarë opinionin publik, ishte fakti nëse a mjekohej Alma Arrazi për sëmundje të shëndetit mendor.

Për këtë çështje Gjon Preçi, mjek neuro-psikiatër në spitalin e Shkodrës në një intervistë për “Ora News”, u shpreh se Alma para disa viteve ka marrë mjekim të lehtë ambulator, por nuk ka qenë aspak një rast i depresionit të thellë apo të shëndetit mendor.

“Kemi të bëjmë me një të stresit, me dhimbje koke, por jo se ka qenë në një situatë të rënduar.
Problemi që ka shfaqur në atë kohë ka qenë i nivelit mesatar, dhe nuk ka qenë një problem madhor sa i përket sëmundjes së saj.

Pra nuk ka pasur asnjë të dhënë se ajo ka pasur probleme madhore të evidentuara dhe problemet e atëhershme nuk të çojnë në një akt të tillë që ajo ndërmori.

Sepse nëse do ishte kështu do kishim të bënim me simptoma që nuk do të pranoheshin nga vetë familja dhe nëse do kishte pasur do e kishin sjellë në spital për kurim dhe trajtim të thelluar mjekësor”, u shpreh ndër të tjera mjeku Gjon Preçi.

NGJARJA

Ka qenë ora 20 e 10 e mbrëmjes së dy majit, kur 39-vjeçarja është ndarë nga kunata e saj me të cilën konsumoi kafen e fundit.

Pasi janë ndarë, në dukje ftohtë, dy gratë kanë marrë rrugë në kahe të ndryshme.

Me djalin dhe vajzën prej dore, e vajzën e madhe që e ndjek nga pas Alma i drejtohet urës së Bunës, ndërsa kunata pasi ka ndaluar pak çaste në mes të rrugës, largohet në drejtimin tjetër.


Shtuar 10.05.2024 10:29