Tragjedia me 57 viktima, paralizohet Greqia, grevë 24 orëshe, bllokohet transporti

Greqia do të paralizohet sot nga një grevë 24 orëshe. Greva vjen pas përplasjes e fatale të dy trenave në Tempe, ku mbetën të vrarë 57 persona, mes tyre 6 shqiptarë.

Mediet greke raportojnë se sot 16 mars, do të bllokohen fluturimet me avionë për 24 orë, ndërsa anijet do të mbeten të ankoruara në port.
Gjithashtu punëtorët grekë do të lënë punën për të protestuar për aksidentin më vdekjeprurës hekurudhor të regjistruar në vend.

Greva e thirrur nga sindikatat më të mëdha të sektorit privat dhe publik të Greqisë pritet gjithashtu të shkaktojë ndaljen e shërbimeve publike dhe mbylljen e shkollave shtetërore, si edhe të ndërpresë transportin urban.

Protestuesit, duke akuzuar qeverinë konservatore dhe sistemin politik të vendit për injorimin e thirrjeve të përsëritura nga sindikatat mbi masat e mangëta të sigurisë në hekurudhën greke, do të fillojnë të mblidhen para parlamentit në mëngjes.

“Ne duam të shprehim së bashku zhgënjimin tonë për atë që nuk është bërë ndër vite, por mbi të gjitha zemërimin për atë që ndodhi në Tempi,” tha në një deklaratë sindikata e sektorit privat, GSEE.

“Ne nuk do të lejojmë që mungesa e transparencës, fshehja, heqja dorë nga përgjegjësitë dhe çdo vonesë të çojë në harresë,” thuhet në deklaratën ku gjithashtu i kërkohet qeverisë të marrë masa dhe të parandalojë një fatkeqësi tjetër dhe kërkohet një hetim të plotë për shkaqet e përplasjes.

Një hetim gjyqësor ka filluar lidhur me aksidentin.

Të gjitha fluturimet do të ndalen mes orës 12:01 të mëngjesit dhe mesnatës me orën lokale më 16 mars dhe do të lejohen vetëm fluturimet për emergjenca dhe kërkim-shpëtim.

Përplasja ka ngjallur zemërim publik. Javën e kaluar, dhjetëra mijëra vetë u mblodhën në Athinë dhe qytete të tjera anembanë Greqisë në protestat më masive me të cilat është përballur qeveria që kur mori pushtetin në vitin 2019./albeu.com/


Shtuar 16.03.2023 09:09