Tragjedia ajrore me 242 viktima/ Kryeministri indian viziton vendin e rrëzimit të aeroplanit, vazhdojnë kërkimet për kutitë e zeza

Kryeministri indian Narendra Modi, ka vizituar vendin e rrëzimit të aeroplanit të Air India në Ahmedabad dhe të plagosurit në spital.

Të gjithë, përveç njërit prej 242 personave që ndodheshin në bord, humbën jetën kur aeroplani me destinacion Londrën u rrëzua në një zonë banimi menjëherë pas ngritjes të enjten.

Ende nuk dihet se sa njerëz në tokë u vranë nga përplasja e aeroplanit që goditi një konvikt mjekësh.

I mbijetuari i vetëm, shtetasi britanik Vishwashkumar Ramesh, i cili ishte ulur në vendin 11A, ndodhet në spital, ndërsa vëllai i tij thotë se “nuk ka idenë se si mbijetoi”.

Në fluturim kishte 169 shtetas indianë, 53 britanikë, shtatë shtetas portugezë dhe një kanadez, deklaroi Air India.

Familjet kanë dhënë mostra ADN-je, për të ndihmuar në identifikimin e viktimave.

Mbetjet mortore të personave që humbën jetën ende po nxirren nga vendi i rrëzimit, ndërsa Reuters raportoi se deri më tani ishin gjetur 81 trupa.

Shkaku i rrëzimit ende nuk dihet dhe hetuesit janë ende duke kërkuar për dy kutitë e zeza që do të japin më shumë detaje.


Shtuar 13.06.2025 09:51