Një ngjarje tragjike ka ndodhur në brigjet e ishullit grek të Kios, ku një anije me emigrantë u përplas me një mjet të Rojës Bregdetare Helenike, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave.
Numri i viktimave nga përplasja e një mjeti lundrues që transportonte emigrantë me një anije patrulluese të Rojës Bregdetare greke, ka shkuar deri më tani në 15 persona.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës, rreth orës 21:00, në zonën detare Myrsinidio, në ishullin e Kiosit.
Si pasojë e përplasjes së fortë, dhjetëra persona mbetën të plagosur, ndërsa vijon ende operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e personave të mundshëm të zhdukur.
Sipas informacioneve të deritanishme, në Spitalin e Përgjithshëm të Kiosit janë transportuar gjithsej 26 të plagosur me autoambulanca të shërbimit emergjent.
Prej tyre, 24 janë shtetas të huaj dhe dy janë efektivë të Rojës Bregdetare. Rreth mesnatës, një grua e plagosur ndërroi jetë në spital, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 15.
Deri më tani janë nxjerrë të pajetë 11 burra dhe katër gra. Pak pas mesnatës ka nisur transportimi i trupave të pajetë të 14 prej viktimave me autoambulanca drejt spitalit të Kiosit.
Sipas të njëjtave burime, deri tani nuk është konstatuar asnjë vdekje nga mbytja në det.
