Tragjedi në Durrës, kishte shkuar për të peshkuar, 40-vjeçari bie në ujë! Nisin kërkimet për trupin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Porto Romano në Durrës, ku një 40-vjeçar ka rrëshqitur dhe ka rënë në ujë teksa peshkonte, dhe nuk ka mundur të dalë.

Sipas  policisë, mësohet se ai ka qenë së bashku me vëllanë dhe një person tjetër.

“Rreth orës 17:15, kanë shkuar për të peshkuar në Porto Romano, shtetasit A. B., 40 vjeç, E. N., 34 vjeç (vëllai i 40-vjeçarit) dhe M. V., 33 vjeç. Gjatë peshkimit dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka rënë në ujë, shtetasi A. B., i cili është tërhequr nga rryma dhe nuk ka mundur të dalë nga deti”, njoftoi policia. 

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me polumbarët e RENEA-s do të kryejnë kërkimet për gjetjen e trupit të shtetasit A. B.

Ndërkaq, një grup i posaçëm hetimor i ngritur për rastin, po kryen hetimet për të zbardhur rrethanat.

/albeu.com


Shtuar 25.02.2024 19:20

Tags: ,