Një tragjedi në bord ka detyruar avionin e Ryanair të bëjë ulje emergjente në Londër pasi një pasagjer humbi jetën gjatë fluturimit. Ky fluturim i nisur nga Tirana, me destinacion aeroportin e Mançesterit, u detyrua të devijonte rrugë gjatë mbrëmjes së të djelës (10 nëntor) për tu ulur në aeroportin e London Stansted.
Aeroporti i Londrës ishte i rrethuar nga ekipe mjekësore dhe shërbime të zjarrëfikëses pasi u lajmëruan se një pasagjer ka pësuar një emergjencë mjekësore në ajër. Pas ndërhyrjes mjekësore personi, identiteti i të cilit akoma nuk është bërë i ditur, humbi jetën.
“Fluturimi të cilit i referoheni u devijua në Stansted në Londër pak para orës 20:00 mbrëmë për shkak të një urgjence mjekësore në bord. Fluturimi u ul në mënyrë të sigurtë dhe u prit nga mjekët, shërbimi zjarrfikës i aeroportit dhe ekuipazhet e ambulancës. Pavarësisht nga përpjekjet e të gjithë atyre që i përgjigjen situatës, pasagjeri për fat të keq ka ndërruar jetë”, deklaroi aeroporti Stansted.