Trafiku i drogës në Tiranë, shkon në 13 numri i të arrestuarve

Në vijim të operacionit policor të koduar “Parku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lëndëve narkotike, finalizuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në DPPSH, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 12 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe shtetasi Rei Demneri, pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në koordinim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Dhërmi, e shtetasit R. D.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, e cila i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për  veprën penale  “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, u bë ndalimi i shtetasit R. D., 21 vjeç.

Ky shtetas, në bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar, merrej me veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 18.06.2021 10:41