Pamje të reja janë publikuar nga zhvillimi i operacionit të koduar “Puzzle”, kundër trafikimit të armëve të zjarrit.
Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 14 armë zjarri (12 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator dhe 2 automatik), 2077 fara cannabisi, krehra e municion luftarak, 3 automjete, dhe 8 aparate celular.
Në kuadër të operacionit u identifikuan 12 persona, 10 prej tyre u vunë në pranga, ndërsa 2 u shpallën në kërkim.
Sipas hetimeve grupi nuk kufizohej vetëm në trafikun e armëve nga Kosova drejt Tiranës, por kishte edhe baza të strukturuara brenda Shqipërisë.
Një nga këto baza është zbuluar nga Policia në qytetin e Burrelit, ku dyshohet se kryheshin ruajtja dhe shpërndarja e armëve. Po ashtu, hetimet kanë dokumentuar raste shitjeje të armëve edhe në Shkodër dhe Laç, çka tregon për një rrjet të mirëorganizuar në disa qytete të vendit.
Grupi kriminal trafikonte kryesisht pistoleta, përfshirë ato të llojit “Glock”, por edhe armë të tjera automatike. Çmimi i një pistolete në tregun e zi varionte nga 1500 deri në 2500 euro, në varësi të tipit dhe modifikimeve të bëra – disa prej të cilave ishin me silenciator.
Ndërkohë, mbeten në kërkim dy persona, R. K., 41 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, të cilët dyshohet se kanë luajtur role kyçe në logjistikën dhe shpërndarjen e armëve.
Dy personat e shpallur ne kerkim, lidhur me operacionin e trafikut te armeve jane 24 vjecari dhe 41 vjecari ne foto.