Trafik armësh nga Shkodra drejt Tiranës, lihet në burg ish-efektivja dhe 4 të rinjtë

Gjykata e Tiranës, ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest ne burg’ për Sabian Hasaj, Redi Nika, Denis Hasaj, Denisa Halilaj, Mirjan Hasaj, të arrestuar për trafik armësh nga Malësia e Madhe drejt Tiranës, më pas do t’i shisnin tek persona të tretë.

Asnjëri prej tyre nuk foli në gjykatë, teksa u mbrojtën nga avokatët. Avokati i ish-efektives së burgjeve Denisa Halilaj, pretendoi se arrestimi është i paligjshëm dhe kërkoi masë më të butë sigurie se arresti në burg, por kërkesa u rrëzua nga gjykata.

Avokati i Halilajt njësoj si kjo e fundit pretendoi para OPGJ, tha në gjykatë se klientja e tij nuk ishte në dijeni të armëve që ndodheshin në makinë.

Grupi hetimor pritet të analizojë në mënyrë të detajuar 5 aparatet e tyre celular, për të zbardhur prova të tjera për veprimtarinë kriminale.

9 armët e sekuestruara rezultojnë të jenë të ’97-ës, të magazinuara që në atë kohë, por janë aktive dhe në përdorim.