“Toyota Yaris” me 3.4 mln euro, Artan Hoxha: 2 shqiptarë të arrestuar në Belgjikë, roli që kishin

Policia konstatoi një shumë prej 3.4 milion euro në një makinë tip “Toyota Yaris” në qershor 2018 në portin e Durrësit. Shuma u fut ilegalisht dhe dyshohet nga SPAK se janë para të ardhura nga një aktivitet i paligjshëm në Belgjikë. Lidhur me këtë çështje po zhvillohen hetime edhe në Belgjikë. Gazetari Artan Hoxha i ftuar në “Radari Informativ” në Abc.news, u shpreh se kjo çështje nuk është hetuar si duhet nga organet e drejtësisë në Shqipëri.

Artan Hoxha: Ne nuk hetuam çfarë duhet të hetonim në atë histori, pro e katandisëm çështjen vetëm në mos deklarim të ardhurash. Ne e finalizuam çështjen me dënime minimale dhe nuk u interesuam se çfarë ndodhi më tej. Nuk u interesuam fare se si doli informacioni në Kuvendin e Shqipërisë, nga e dinin politikanët që po vinte një ngarkesë e tillë dhe pse e bënë publike. Ata duhet të kishin lajmëruar policinë e shtetit dhe më pas të flisnin. Ne nuk e hetuam fare çështjen. Gjatë 2 vitet të fundit në Shqipëri kjo çështje ka bërë shumë bujë se u përfshi edhe në lojën politike të brendshme. Fillimisht mes maxhorancës dhe opozitës dhe më pas brenda vetë opozitës, Berishës dhe Bashës. Autoritete belge nuk dinin asgjë, nuk e kanë ditur që po lëviznin euro në Shqipëri me vetura që ishin blerë në tokën belge, ata nuk e kanë ditur këtë gjë, e kanë nisur hetimin pasi është bërë zhurmë në Shqipëri.

Gazetari zbuloi në studion e Abc se lidhur me çështjen “Toyota Yaris” janë arrestuar 2 persona, me shtetësi shqiptare. Por ata nuk janë arrestuar në Begjikë. Njëri është arrestuar në Maqedoninë e Veriut dhe tjetri në Malin e Zi. më pas janë ekstraduar në Belgjikë.

Artan Hoxha: Në Belgjikë ndodhen të arrestuar 2 shtetas shqiptarë që nuk janë arrestuar në Shqipëri. Njëri është arrestuar në Maqedoninë e Veriut dhe njëri në Malin e zi dhe janë ekstraduar.

Roli që ata kishin

Artan Hoxha: Ata kanë qenë pjesë e kësaj transfertë të madhe parash e cila dyshohet se vjen nga aktivitetet kriminale. Autoritetet belge nuk po hetojnë thjesht kush po i transportonte, ku janë marrë këto para, a është përdorur territori i Belgjikës, këto para që u kapën në Shqipëri a janë përfituar në Belgjikë?

Hoxha paralajmëroi se prokurorët belgë do ta vizitojnë më shpesh Shqipërinë lidhur me hetimet mbi këtë çështje. Një prokuror nga Belgjika erdhi në Tiranë më 10 shkurt 2022 në lidhje me çështjen e “Tyota Yaris”, ku u tentua futja e një shumë të mëdha parash në Shqipëri të siguruara nga trafiku i drogës. Prokurori zhvilloi një takim në SPAK dhe prokurorinë e Tiranës ku edhe mori  dokumentacion në lidhje me hetimet e kryera deri më tani në Shqipëri mbi skandalin e “Toyota Yaris”./abcnews.al

Shtuar 24.05.2022 14:04