Tjetërsimi i pronave, kalon në gjykim dosja e ish-kryebashkiakut të Lezhës dhe 10 zyrtarëve të tjerë

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Lezhës, Fran Frrokaj dhe 10 zyrtarëve të tjerë, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Gjykata gjithashtu mësohet se ka pranuar edhe kërkesën për gjykim të shkurtuar.

Tetorin e vitit te kaluar, Gjykata e Apelit në Shkodër gjeti fajtorë dhe dënoi me nga tre vjet burg ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj, dhe ish-kryetarin e qarkut Lezhë, Gjok Ndoka, të akuzuar për tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Shëngjinit.

Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte. Fillimisht në këtë çështje së bashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në gjykatë dosja u dërgua për 18 persona, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm.


Shtuar 12.04.2023 10:27