Tjetër virus? Raportohen dhjetëra raste misterioze të Hepatitit tek fëmijët britanike

Një tjetër sëmundje misterioze dhe e panjohur duket se po i kanoset botës.

Bëhet fjalë për një sëmundje që prek më së shumti fëmijët.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se janë zbuluar dhjetëra raste të pashpjegueshme të Hepatitit tek fëmijët në Britaninë e Madhe. Shumë prej pacientëve ishin infektuar më parë me viruse, përfshirë koronavirusin.

Viruset e njohura të hepatitit A, B, C, D dhe E janë  përjashtuar si shkaktarë të sëmundjes, thotë  OBSH duke shtuar se gjashtë pacientë iu nënshtruan transplantit të mëlçisë.

Tre raste të ngjashme  janë raportuar në Spanjë dhe disa raste të tjera  në Irlandë janë duke u vëzhguar nga zyrtarët shëndetësorë. Ndërsa, zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thonë se po shqyrtojnë nëntë raste të ngjashme. Të gjithë këto raste janë evidentuar në Alabama, por zyrtarët po shikojnë nëse ka edhe në vende të tjera.

Skocia raportoi 10 raste të hepatitit akut te fëmijët e shëndetshëm të moshës 11 muajsh- 5 vjeç më 5 Prill. Njëri prej fëmijëve kishte shfaqur simptoma në janar ndërsa të tjerët në Mars. Brenda tri ditëve të ardhshme, në të gjithë Britaninë e Madhe u zbuluan gjithsej 74 raste te fëmijët nën moshën 10 vjeç.

Zyrtarët thonë se nuk janë në dijeni të udhëtimeve në vende të veçanta apo faktorëve të tjerë që mund t’i kenë vënë fëmijët në rrezik. Adenoviruset që janë një familje virusesh të zakonshme që shkaktojnë ftohje të lehta, të vjella dhe diarre besohet se mund të jenë shkaktarë të këtyre rasteve.


Shtuar 16.04.2022 16:14