Kupa e Botës ka nxjerrë sërish në pah ndërthurjen e politikës me sportin, ndërsa rasti më i fundit vjen nga përfaqësuesja e Iranit.
Sipas medias shtetërore iraniane, pjesëmarrja e sulmuesit të krahut Mehdi Torabi në vazhdim të turneut është vënë seriozisht në pikëpyetje, pasi viza e tij amerikane skadoi menjëherë pas ndeshjes së parë ndaj Zelandës së Re, e mbyllur 2-2.
Të lidhura
None found
Ky zhvillim ka shtuar edhe më shumë tensionin në raportet diplomatike, që prej kohësh janë të acaruara, mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve iranianë u pajisën me viza me shumë hyrje, Torabi kishte marrë vetëm një vizë me një hyrje për në Shtetet e Bashkuara.
Në Los Angeles, Irani barazoi 2-2 me Zelandën e Re, ndërsa agjencia shtetërore e lajmeve IRNA bëri të ditur se dokumenti i udhëtimit të Torabit humbi vlefshmërinë menjëherë pas përfundimit të takimit.
Federata Iraniane e Futbollit reagoi me urgjencë duke nisur procedurat për sigurimin e një vize të re, me qëllim që lojtari të mbetet pjesë e garës, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për përfundimin e kësaj çështjeje.
IRNA nuk sqaroi nëse Torabi hasi probleme për t’u larguar nga territori amerikan, por raportoi se i gjithë delegacioni i kombëtares hipi në avionin që u nis drejt Meksikës pas ndeshjes.
Baza e përkohshme e Iranit ndodhet pikërisht në Meksikë, zgjedhje që është bërë për arsye sigurie për shkak të tensioneve të fundit ushtarake në Lindjen e Mesme, ku është e përfshirë edhe SHBA-ja.
Ndonëse mes dy vendeve është arritur më pas një marrëveshje paraprake për t’i dhënë fund konfliktit, futbollistët iranianë mbeten të detyruar të hyjnë dhe të dalin vazhdimisht nga SHBA-ja për çdo sfidë të fazës së grupeve.
Kjo nuk përbën problemin e parë burokratik për Iranin në këtë turne. Më herët, zyrtarët në Teheran kishin bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara refuzuan të lëshonin viza për deri në 15 anëtarë të delegacionit, duke vështirësuar ndjeshëm organizimin dhe përgatitjet e skuadrës kombëtare.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në një raport tjetër IRNA nënvizoi se skadimi i vizës së Torabit nuk ishte i vetmi incident gjatë largimit nga Los Angeles. Kapiteni i ekipit kombëtar, Mehdi Taremi, bashkë me një anëtar të stafit profesional, u përballën me shqetësime dhe vonesa serioze në aeroport para nisjes për në Meksikë.
Deri në këtë moment, autoritetet amerikane dhe organizatorët e kampionatit nuk kanë pranuar të japin komente për atë që ka ndodhur.
Tashmë Irani është përballë një sfide me kohën dhe procedurat administrative. Kombëtarja duhet të rikthehet të dielën në Los Angeles për ndeshjen ndaj Belgjikës në raundin e dytë të Grupit G, ndërsa më 26 qershor e pret përballja me Egjiptin në Seattle.
Mbetet ende krejtësisht e paqartë nëse Torabi do të marrë miratimin për t’u rikthyer në territorin amerikan deri atëherë.
