Thyen xhamat e banesës së xhaxhait dhe kërcënon familjarët, në pranga 30-vjeçari në Kamëz

Policia ka arrestuar 10 shtetas në Tiranë, për vepra të ndryshme penale. Ndër të arrestuarit është dhe një i ri nga Kamza, i cili ka dëmtuar xhamat e banesës së xhaxhait dhe kërcënon familjarët.

Arrestimet e tjera janë kryer për mbajtje të sendeve të forta, dhunë, vjedhje, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, etj.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Vihen në pranga 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin A. G., 23 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një dorezë metalike (përforcues grushti), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasit:

– D. M., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka kundërshtuar 3 punonjës policie, të cilët kishin shkuar në dyqanin e shtetasit K. B., në rrugën “Gjergj Legisi”, pas njoftimit se shtetasi D. M. po dëmtonte kompjuterat në këtë dyqan;

– I. D., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Jordan Misja”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur shtetasin A. J., 54 vjeç, i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu, nga këto struktura u ndalua shtetasi L. H., 26 vjeç, banues në Kosovë, pasi ka vjedhur në një argjendari në rrugën “Sami Frashëri”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin V. P., 30 vjeç, banues në Kamzë, pasi në Kamzë, ka dëmtuar xhamat e banesës së xhaxhit të tij, si dhe ka kanosur atë dhe familjarët e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan shtetasin G. P., 28 vjeç, banues në Durrës, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur dhe kanosur ish-bashkëjetuesen e tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan një të mitur 17 vjeç, pasi u kap duke drejtuar një automjet, pa leje drejtimi.

Gjithashtu, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit:

– E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasin O. H., 80 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve;

– Sh. H., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi;

– B. K. (S)., 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.


Shtuar 17.03.2023 12:44