Në zemër të bregdetit të Adratikut ndodhen 52 mijë metra katrorë tokë në pronësi të Forcës Detare.
Në zonën e Porto Romanos në Durrës, ngjitur me Portin Tregtar të kompanisë koncesionare Porti MBM, që zotërohet nga “Kastrati Group”, ishin disa godina që kanë shërbyer si depo të minave detare vite më parë.
“Përpara vitit 1965, bëhet fjalë për në Luftën e Parë Botërore, ka qenë kamp përqëndrimi i italianëve, madje ka patur dhe një monument për kampin e përqëndrimit, por monumenti nuk është më, është hequr”, thotë ish-kreu i Flotës Detare, Artur Meçollari.
Sot pjesa më e mirë e tyre nuk janë më. Disa të tjera mezi qëndrojnë në këmbë.
Që nga gushti i vitit 2020, kompania koncesionare e portit ka nisur zgjerimin e saj në këtë pronë.
Prona është e ushtrisë dhe pa një leje apo kontratë që miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, nuk mund të prekë askush asnjë fije bari.
“Këtu ku jemi gjendemi në kufirin jug-perëndimor të pronës dhe kufijtë e tjerë janë muri antik që është kufiri verior dhe rruga automobiliste që është kufiri lindor. Këto janë kufijtë, por brenda tyre po kryehn punime, godinat janë dëmtuar, një pjesë janë rrafshuar, është gërmuara kodra brenda pronës 219 që është në pronësi të Forcës Detare”, sqaron Artur Meçollari.
Kronos pyeti edhe Ministrinë e Mbrojtjes se cili është statusi i kësaj prone dhe kush është pronari i saj. Ministria konfirmoi se pronësinë e ka Forca Detare.
“Prona nr.219 “Ish Depo Minave Detare” Porto Romano është pronë në administrim të Forcës Detare e cila gëzon dhe certifikatë pronësie për këtë pasuri”, tha Ministria e Mbrojtjes në përgjigje të kërkesës për informacion.
Nëse toka është në pronësi të Forcës Detare atëherë askush nuk mund të kryejë punime pa patur një kontratë të miratuar. Në Fletoren Zyrtare nuk është botuar asnjë kontratë e tillë, dhe kjo konfirmohet edhe nga Ministria e Mbrojtjes në përgjigje të kërkesës për informacion që iu drejtua nga Kronos.
“Aktualisht Forca Detare, nuk disponon ndonjë kontratë dhënie me qira/emfiteozë të kësaj pasurie dhe gjithashtu nuk disponon asnjë akt me të cilën është bërë kalimi i kësaj pasurie shtetërore drejt ndonjë subjekti privat. Nuk disponojmë ndonjë akt që ndonjë subjekt privat të ketë fituar të drejtën për zhvillimin e kësaj prone”, shprehet Ministria e Mbrojtjes.
Rregullat dhe ligjet nuk janë marrë parasysh nga kompania koncesionare e portit, të cilës toka i duhet për të zgjeruar aktivitetin e saj. Një pjesë e pronës po përdoret si terminal për parkimin e kamionëve, ndërsa gjysma e godinave të ish-depos së minave detare janë prishur.
Edhe në këtë rast nuk është përfillur ligji, i cili kërkon leje nga autoritet vendore për prishje, në të kundërt konsiderohet “ndërtim pa leje”, “ndërtim pa leje” konsiderohet edhe hedhja e asfaltit në një pjesë të mirë të tokës për ta përdorur si vend parkimi për kamionët.
Pyetja që shtrojnë të gjithë, por edhe ish kreu i Forcës Detare Artur Meçollari është se si ka mundësi që e gjithë kjo ka ndodhur për muaj me radhë pa e parë askush?
“Unë kam patur vetëm një histori gjatë detyrës time me këtë pronë, duhet të ketë qënë maji i vitit 2020 kur duke ndërtuar një rrugë kompania që administron portin hyri në pjesën e pronës 219 dhe menjëherë njoftova Policinë Ushtarake, Policinë e Shtetit, erdha vetë në vend, takova dhe administratorin e pronës dhe u rikthye gjendja e pronës si ishte”, tregon Meçollari.
Kronos pyeti Ministrinë e Mbrojtjes nëse është dijeni që në këtë pronë po kryhen punime nga operatorë privatë, por në shkresën e dërguar kjo përgjigje ishte “harruar”.
Kronos i dërgoi një tjetër kërkesë ku i kujtoi dhe njëherë pyetjen: Aktualisht a po kryhen punime në këtë pronë nga operatorë privatë? Por përgjigjja sërish nuk ka ardhur.
Një zyrtar në Ministrinë e Mbrojtjes tha në kushtet e anonimatit se janë bërë deri tani 3 kallzime penale për shfrytëzimin e paligjshëm të pronës. I pari është bërë nga Forca Detare në Prokurorinë e Durrësit më datën 13 gusht 2020 dhe dy kallzime të tjera janë bërë më datën 9 shkurt 2022 dhe 17 nëntor 2022.
Pavarësisht kallzimeve të bëra, mbetet e paqartë dhe pa përgjigje se si është e mundur që toka nuk është rrethuar dhe nuk është marrë në mbrojtje as nga Policia Ushtarake dhe e Shtetit.
Prona numër 219 ish-Depo e Minave Detare me sipërfaqe 5.2 hektarë ndodhet jashtë planit të përhapjes së tokave të ushtrisë dhe mund të jepet për zhvillim te privati. Edhe pse ligji e lejon dhënien, askush nuk e ka zbatuar.
“Format mund të jetë me koncesion, me qira ose të blihet. Këto janë 3 forma që mund të jepet, por deri në vitin 2020 nuk ka patur asnjë kontratë për dhënien me qira apo shitjen”, shton Meçollari.
Ministria e Mbrojtjes nuk ka hapur ankand për privatizimin e saj, kompania nuk ka bërë kërkesë për përdorimin e saj, ndërsa fakti ka ndodhur: 52 mijë metra katrorë me vlerë tregu 5 milion euro janë marrë nga koncesionari i Portit.
Në të gjithë këtë histori ka një fitues: që është privati dhe një humbës: shteti, i cili ka humbur tokën apo të ardhurat që mund të vilte nga një aset i tij. Rasti është me flagrant dhe ndryshon nga baza detare e Sarandës, ku njëra nga kompanitë që ka lidhur kontratë qiraje “Kastrati Group” ka ndjekur procedurën ligjore dhe ka marrë administrimin e Portit të Limionit me një Vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastin e Porto Romanos, kompania Kastrati nuk ka asnjë leje.
Skandali thellohet më shumë pasi tregon se si ka dështuar gjithë zinxhiri i autoriteve që administrojnë pronat e ushtrisë, që nga vetë Forca Detare, e deri te hallka më e lartë, Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes. Rasti analog është ai i bazës të Shëngjinit, ku pasi një privat nisi ndërtimin e një objekti, Policia Ushtarake vendosi të marrë në ruajtje pronën duke bllokuar punimet.
Ish-depo e Minave në Porto Romano është pronë e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka dalë nga plani i përhapjes në vitin 2010. Me këtë status, prona duhet të ruhet dhe administrohet nga Forca Detare, por jo me efektivë që qëndrojnë 24 orë. Procedura është e tillë: çdo ditë një ushtarak duhet të kontrollojë dhe të raportojë nëse prona është cënuar apo dëmtuar apo po e përdor dikush.
Siç tregojnë dhe pamjet e flimuara nga Kronos, aty nuk ka më asnjë gjë të ngjashme me një pronë ushtrie. Godinat e depos dhe rrethimi i jashtëm nuk ekzistojnë.
“Mbaj mend që më ka kaluar në dorë një informacion në atë kohë, pa emër dhe pa dokumentacion, ka qënë një shprehje e një dokumentacioni se ka një pretendent për pronësinë e dikujt që ka një vendim për kthimin e pronës, por prona nuk është kthyer dhe është në iventarin e pronave të ushtrisë.” thotë ish Komandanti i Flotës Detare.
Pamjet e marra nga Google Earth ndër vite tregojnë se punimet nga një firma private kanë nisur që në gusht të vitit 2020. Disa më muaj më parë, toka ishte e gjelbër dhe depot ishin aty. Sot kemi këtë pamje: gërmime të dheut, gjysma e depove nuk janë më dhe asfaltim në krahun e rrugës i cili shërben për parkim të kamionëve. E gjithë prona në funksion të kompanisë private.
Në një kërkesë zyrtare për koment nëse ka referime në polici apo prokurori për elementët e veprës penale për zaptimin dhe ndërhyrjen në pronën e ushtrisë, nuk u përgjigj askush. As Ministria e Mbrojtjes, as Kundër Admiral Adnand Agastra, komandant në detyrë i Forcës Detare. Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes pranon se e njeh edhe ligjin edhe procedurën:
“Kjo pronë është pjesë e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në administrim të Forcës Detare dhe në çdo rast që konstatohen se mbi këtë pasuri mund të kryhen cënime të çdo lloj natyre, nga persona të tretë, Forca Detare ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në mbështetje të akteve ligjore dhe nënligjore të miratuara për këtë qëllim.” shprehet Ministria e Mbrojtjes.
Kompania Porti MBM operon prej vitesh në zonën e Porto Romanos, fillimisht me një kontratë koncesionare për ngritjen e një strukture portuale për lëndët hidrokarbure. Në vitin 2020, Kuvendi i Shqipërisë i ndryhsoi kontratën duke i lejuar edhe aktivitete të tjera tregtare në përpunimin e të gjitha mallrave. Të kontaktuar nga Kronos, përfaqësuesit e kompanisë Kastrati Group që zotëron firmën Porti MBM nuk iu përgjigjën një kërkese për koment./ MCNTv