Teuta mban kreun, Laçi bën detyrën (VIDEO)

Janë mbyllur edhe dy ndeshjet e orës 16:00, që ulin siparin e javës së 28 të Kategorisë Superiore.

Teuta është hakmarrë për eliminimin nga Kupa e Shqipërisë. Skënderbeu i hoqi pak ditë më parë finalen nga duart, por bregdetarët kanë shlyer gjithçka në kampionat. Madje është një ish-bardhekuq ai që sjell fitore. Goli i Devi Bregut ka mjaftuar që Teuta të dalë me 3 pikët nga fusha dhe të rrëmbejë sërish kreun e renditjes.

Ndërkohë në krahun tjetër Laçi ka mposhtur Bylisin me shifrat 2-1. Mallakastriotët nuk kanë shfrytëzuar atë asist të djeshëm nga Partizani, për t’ju afruar edhe më shumë Kastriotit në renditje. Kurbinasit zgjidhën ndeshjen në vetëm dy minuta. Në minutën e 54 Deliu zhbllokon rezultatin, ndërsa vetëm dy minuta më vonë Prenga shënon golin e fitores.

Bylisi kundërpërgjigjet shumë vonë. Penalltia e konvertuar në gol nga Ndreca në sekondat e fundit nuk mjafton për të dalë me pikë nga ky takim. Ekipi i Shpëtim Duros mban kështu hapin e pretendentëve, duke qendruar në vendin e 4-t, me vetëm 4 pikë larg Teutës kryesuese.

/sportekspres/


Shtuar 18.04.2021 18:07