Një banesë është shkrumbuar plotësisht në Sukth të Durrësit, duke lënë në qiell të hapur familjen prej 7 anëtarësh.
Burimet nga njësia administrative e Sukthit kanë pohuar se zjarri ka shpërthyer rreth orës 23:30 të natës së shkuar ndërsa në banesë ka qenë vetëm kryefamiljari 61-vjeçar, Vebi Domi, i cili ka shpëtuar pa u lënduar.
“Isha në gjumë vetëm kur mori zjarr batanija që isha mbuluar kam dalë jashtë. Kasollen e bagëtisë e kisha tre metra larg doja të nxirja lopën dhe dhitë por flakët i kishin përpirë. Nuk i nxora dot. Shtëpinë e kisha me llamarina mbuluar, po prisnim pranverën të ndërtonim shtëpinë e re se na e prishi tërmeti atë që patëm. Shteti na kompesoi sa na i kish dhënë 15,7 milionë lekë por edhe ato u dogjën. Nuk mora dot asgjë veç dola gjallë… Mu dogjën të gjalla bagëtitë. Mu dogj lopa që shisja qumështin e mbanim frymën gjallë . Mbetëm prapë pa shtëpi, pa katandi në një çadër”, tha në një lidhje telefonike për News 24 kryefamiljari.
Vebi Domi kërkon ndihmë pasi ka mbetur sërish pa shtëpi, por këtë radhë fatkeqësia është edhe më e madhe se ajo e tërmetit tre vjet më parë. Nga zjarri i janë djegur edhe bagëtia që ishin pasuria e vetme nga e cila shisnin qumësht të ushqeheshin familja 7 anëtarëshe. Tre mjete zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, por gjithçka ishte djegur pasi shërbimi zjarrfikëse u lajmërua me vonesë./Albeu.com/