Tërmeti bën “bashkë” Ukrainën dhe Rusinë, ekipet e shpëtimit të dy vendeve në luftë të distancuara nga njëri-tjetri

Ekspertët e shpëtimit nga Ukraina e shkatërruar nga lufta kanë fluturuar në Turqi për të ndihmuar në përpjekjet e kërkimit, ndërsa njerëzit janë tërhequr nga ndërtesat e rrënuara pas katër ditësh.

Një përpjekje e madhe ndërkombëtare kërkimi dhe shpëtimi u nis pas dy tërmeteve të fuqishme dhe qindra pasgoditjeve, të cilat shkatërruan pjesë të Turqisë dhe Sirisë.

“Ka një luftë në vendin tonë, por ne e kuptojmë se duhet të ndihmojmë dhe kjo ndihmë është e ndërsjellë”, tha Oleksandr Khorunzhyi, një zëdhënës i Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës.

“Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta bërë këtë”, shtoi ai.

Ukraina ka dërguar 88 persona në Turqi për të ndihmuar me katastrofën, e cila ka vrarë rreth 20,000 njerëz në pjesët jugore dhe Sirinë fqinje, shkruan Sky News.

Ekipi përfshin specialistë në operacionet e kërkim-shpëtimit, mjekë, kujdestarë qensh dhe zjarrfikës.

“Kjo punë vijon vazhdimisht, ne kemi përgatitur njerëz që marrin pjesë në operacione të tilla”, tha Khorunzhyi.

Ekipi ukrainas ndërtoi tenda pranë qytetit turk të Antakias afër kufirit me Sirinë për të siguruar strehim emergjent dhe për të vendosur gjeneratorë për ata që mbetën të pastrehë.

Ata u janë bashkuar shpëtimtarëve nga e gjithë bota, përfshirë Rusinë, e cila pushtoi Ukrainën afër një vit më parë.

“Ne do të punojmë dhe do të distancohemi nga shpëtimtarët rusë aq sa mundemi”, tha ai.

“Qendra e koordinimit na ka informuar se ekuipazhet ruse të urgjencës ndodhen në një vend të largët dhe ne nuk do të mund të takohemi”, shtoi ai.

“Njerëzit duhet të mbrojnë jetën e tyre, kjo është gjëja më e rëndësishme që ata kanë. Ne ngushëllojmë popullin turk, familjet e të vdekurve dhe të plagosurve.” /albeu.com


Shtuar 9.02.2023 19:14