15 efektivë të Policisë së Shtetit kanë rënë në pranga pas një operacioni të mirëorganizuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në një njoftim për mediat SHÇBA bën me dije arrestimet janë kryer në dy operacione të ndryshme në Pukë, Tiranë dhe Korçë.
Nga Komisariati i Policisë Pukë janë vënë pranga: Zamir Mehaj, 48 vjeç, Alfred Ndoj, 32 vjeç, Fatmir Alija, 50 vjeç, Petrit Florini, 49 vjeç, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe janë me detyrë inspektor. Po ashtu është shpallur në kërkim N/Komisar Kastriot Bicukaj, 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit ai nuk është gjetur në banesë, i dyshuar për favorizim të “Kultivimit të bimëve narkotike” kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ndërkohë në Tiranë janë vënë në pranga 10 oficerë të policisë. Hetimi për ta është bërë nga SHBÇA dhe SPAK dhe akuza që rëndon është ajo e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në pranga kanë rënë: Inspektor D. M., 33 vjeç, me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë; Inspektor A. B., 56 vjeç, me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr.1; Inspektor J. SH., 55 vjeç, me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë; Inspektor M. H., 30 vjeçe, me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë;
Komisar K. GJ., 44 vjeç, me detyrë Shefi i Komisariatit të Policisë Korçë; Komisar K. P., 53 vjeç, me detyrë Shef i Sektorit të Qarkullimit Rrugor Korçë; N/komisar P. F., 48 vjeç, me detyrë specialist shërbimi për parandalimin dhe sigurinë rrugore në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, DVP Korçë; Inspektor Ç. A., 52 vjeç, me detyrë agjent verifikues në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, DVP Korçë; Inspektor Genci H., 40 vjeç, me detyrë agjent verifikues në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, DVP Korçë; Inspektor K. K., 52 vjeç, me detyrë agjent verifikues në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, DVP Korçë.
SHBÇA sqaron se arrestimi i tyre është bërë në bazë të hetimeve dhe kanë prova se këta punonjës policie implikohen në vepritmari të paligjshme.
“Këta punonjës policie, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në kohë dhe episode të ndryshme, në disa raste në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shfrytëzuar aksesin në sistemet dhe regjistrat e Policisë së Shtetit për sigurimin e të dhënave personale të shtetasve pa autorizim. Gjithashtu, ata dyshohet se kanë lejuar dhe favorizuar persona të ndryshëm, në disa raste duke raportuar të dhëna të pavërteta, për mosndëshkimin e tyre me masat administrative përkatëse sipas Kodit Rrugor dhe Aktit Normativ për masat anticovid”, sqarohet më tej në njoftim./albeu.com/