Tërhiqet PS, anulon vendimin e përjashtimit të demokratëve nga Kuvendi, Bardhi: Asnjë pengesë!

Mazhoranca ka anuluar vendimin për përjashtimin e 23 deputetëve demokratë nga seanca e sotme parlamentare, e cila do të nisë në orën 17:00.

Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi ka njoftuar deputetët se i është bërë me dije anulimi i vendimit të përjashtimit të tyre nga seanca.

“Të nderuar kolegë, Zyrtarisht jemi njoftuar nga Kuvendi që nuk do ketë asnjë pengesë për deputetët e përjashtuar për pjesëmarrje në seancë. Vendimi i përjashtimit është anulluar” , është mesazhi që Bardhi u ka drejtuar kolegëve demokratë.

Kujtojmë se salla e seancave plenare më 19 tetor, u shndërrua në arenën e protestës politike të opozitës dhe sidomos të deputetëve që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha.

Pa nisur seanca opozitarët bllokuan vendet ku ulen ministrat dhe hoqën kartat nga ulëset e deputetëve, me qëllim pengimin e zhvillimit normal të seancën plenare.

Në ato kushte kaosi, drejtuesja e seancës, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj që drejtonte seancën plenare, vendosi shtyrjen. Ndërkohë mazhoranca zyrtarisht depozitoi kërkesën për përjashtimin nga Kuvendi të 23 deputetëve opozitarë. Vendimi u mor po atë ditë./albeu.com


Shtuar 30.10.2023 13:25