Tentuan të zhvatnin 150 mijë euro nga një grua, vihen në pranga tre shqiptarë në Spanjë

Policia e Granadës në Spanjë, ka shkatërruar një bandë kriminale që dyshohet se ka zhvatur një grua nga e cila kërkuan pagesën e 150,000 eurove, për një borxh të pretenduar të bashkëshortit të saj të ndjerë, teksa në pranga kanë rënë të gjithë anëtarët e saj, gjithsej katër persona, duke përfshirë udhëheqësin e grupit.

Të gjithë të arrestuarit u lanë në burg, pasi dolën para gjykatësit.

Sipas Gardës Civile në një njoftim për shtyp, kreu i bandës ishte një 34-vjeçar me kombësi spanjolle, ndërsa grupi përbëhej edhe nga tre persona të kombësisë shqiptare nga 28 deri në 38- vjeç.

Të gjithë ata u arrestuan në kuadër të të ashtuquajturit operacioni “Jamais” si autorë të dyshuar të krimeve të zhvatjes, krimit të vazhdueshëm të grabitjes me forcë, dëmtimit, falsifikimit të dokumenteve, armëmbajtjes pa leje, falsifikimit të valutës dhe përkatësisë në një bandë kriminale.

Garda Civile, mësoi tetorin e kaluar se një grua merrte mesazhe kërcënuese përmes WhatsApp-it në numrin e telefonit të bashkëshortit të saj të ndjerë nga një numër telefoni me prefiks anglez, duke kërkuar pagesën e 150 mijë eurove.

Hetuesit e Gardës Civile, u vendosën në mënyrë strategjike dhe vepruan pikërisht kur gruaja u dha paratë që kërkuan.

Në fillim, dy nga anëtarët e grupit u arrestuan, ndërsa dy të tjerët me të parë agjentët u larguan dhe u arrestuan pak më pas në një qendër të njohur tregtare.