Ka rënë në pranga një nga personat që kishin planifikuar një vjedhje në Lushnje.
I arrestuari është Bukurosh Mukja, 66 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Parandalimi”, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.
Ai ishte në rolin e drejtuesit të automjetit gjatë tentativës për grabitje nën kërcënimin e armës së zjarrit.
Njoftimi:
Vijon operacioni policor i koduar “Parandalimi”.
Gjatë kontrollit të zonës dhe ndjekjes së autorëve, lokalizohet dhe kapet në Elbasan, njëri nga autorët e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Parandalimi”, i zhvilluar ditën e djeshme, për parandalimin e një vjedhjeje me armë zjarri.
Vihet në pranga 66-vjeçari (drejtuesi i automjetit), i cili u largua bashkë me 2 autorët e tjerë.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Parandalimi”, shërbimet e Policisë kanë vijuar ndjekjen e autorëve dhe krehjen e zonës, me qëllim kapjen e tyre. Si rezultat i koordinimit mes Policisë së Lushnjës dhe asaj të Elbasanit, u bë i mundur lokalizimi i njërit prej autorëve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit.
Shërbimet e Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me ato të Lushnjës, kapën në lagjen “Kala” të qytetit Elbasan, njërin prej autorëve, konkretisht shtetasin Bukurosh Mukja, 66 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Parandalimi”, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.
Shtetasi Bukurosh Mukja dhe 2 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, R. Ç dhe F. T., kishin planifikuar vjedhje me armë në Lushnjë, por falë inteligjencës informative, Policia e Lushnjës ka mundur të parandalojë vjedhjen me armë.
Të tre këta shtetas, kur janë lokalizuar nga punonjësit e Policisë, nuk i janë bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por janë larguar me shpejtësi me një automjet tip “Benz” me targa të falsifikuara, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion.
Vijon puna intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 2 autorëve të tjerë të shpallur në kërkim. /albeu.com