Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia e Beratit pas ka tentuar të vidhte një arkëtar në Njësinë Administrative Kutalli.
Mësohet se shtetasi me iniciale A.V., Ka hyrë me forcë në zyrën e arkëtarit dhe e ka kërcënuar me fjalë. Më pas, i ka rrëmbyer çantën e dorës për t’i vjedhur paratë që supozonte që do ishin brenda apo sende të tjera me vlerë , por çanta ishte bosh.
Ai tentoi të largohet, por më pas u kap nga policia e Beratit.
Njoftimi i policise:
Tentoi të vidhte me forcë, në ambientet e Njësisë Administrative Kutalli, Policia identifikon, kap dhe vë në pranga 31-vjeçarin.
Shërbimet e Policisë Dimal, pas informacionit se një shtetas ishte futur me forcë, për të vjedhur në zyrën e arkëtarit të Njësisë Administrative Kutalli, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi A. V. ka hyrë me forcë në zyrën e arkëtarit të Njësisë Administrative Kutalli dhe duke kanosur me fjalë arkëtarin, i ka kërkuar atij vlera monetare dhe i ka marrë me forcë çantën e dorës, të cilën pasi e ka kontrolluar dhe nuk ka gjetur vlera monetare e ka hedhur dhe ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal arrestuan në flagrancë shtetasin A. V., 31 vjeç, banues në Kutalli, Dimal, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” mbetur në tentativë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.