Tentoi të kalojë kufirin me 27 mijë euro të padeklaruara, arrestohet italiani në Morinë

Një shtetas italian është vënë nën hetim nga policia pasi është kapur me 27 mijë euro të padeklaruara në pikën kufitare të Morinës.

Policia bën me dije se gjatë kontrollit të automjetit tip “BMw” atij iu gjetën dhe sekuestruan 12.400 euro dhe 1.850.600 lekë të rinj.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme ndërkohë që ndaj 46-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.

Njoftimi i policisë

Si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, bazuar në analizën e riskut, goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Sekuestrohen 12.400 euro dhe 1.850.600 lekë, procedohet penalisht shtetasi italian që nuk i deklaroi në kufi.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin italian S. P.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 12.400 euro dhe 1.850.600 lekë të rinj, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin S. P., 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.