Tentoi të dilte nga Shqipëria me pasaportë çeke të falsifikuar, arrestohet 46-vjeçarja iraniane

Një 46-vjeçare nga Irani është arrestuar pasi tentoi të dilte nga Shqipëria  duke përdorur pasaportë çeke të falsifikuar.

Si rezultat i kontrolleve në Rinas, është goditur një rast i tentativës për të dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke përdorur dokument fals.

“Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasja iraniane L. B., 46 vjeçe, banuese në Teheran, Iran, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i leternjoftimeve, pasaportave ose i vizave”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kjo shtetase ka paraqitur në sportelin e PKK Rinas, biletën e udhëtimit dhe një pasaportë çeke për të cilën punonjësi i Policisë Kufitare ka dyshuar se ishte e falsifikuar. Pas ekzaminimit në laboratorin e dokumenteve rezultoi se pasaporta ishte e falsifikuar.

Gjatë kontrollit, kësaj shtetaseje iu gjet edhe një leje për qëndrim në Çeki, e cila gjithashtu rezultoi e falsifikuar.

2 dokumentet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetases L. B. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 18.05.2023 14:11