Tensioni me SHBA-në, Haradinaj kërkon rrëzimin urgjent të Kurtit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, insiston se zgjidhja e vetme në këtë situatë është rrëzimi i qeverisë.

Para nisjes së seancës së Kuvendit, ai ka përmendur tri gabime që sipas tij po i bën qeveria.

“Institucionet e Kosovës i kanë bërë tri gabime, të cilat po i vuajmë pasojat. Gabimi i parë se nuk u dakorduan me propozimin amerikan për tabelat dhe pastaj me mbet në kujdestari veriu gjatë gjithë procesit të dialogut, në kujdestari të amerikanëve. Gabimi i dytë ishte insistimi apo nxitimi për të mbajtur zgjedhje, duke mos e pasur pjesëmarrjen e garantuar të gjithëve. I treti, ishte gabim sikurse e dimë, kryetarët që kanë marrë aq pak vota nuk kualifikohen mirëfilli si kandidate të mirëfilltë. Edhe zgjidhja me i kryet funksionet e veta në objekte alternative për një kohë ishte e mençme. Gaboi kryetari i qeverisë kur insistoi t’i vendos ata me forcë policore në objekte. Të tri këto gabime u shfrytëzuan shumë mirë prej Serbisë,” ka thënë ai.

Kreu i AAK-së ka thënë se Kosova në një mënyre i ka pranuar kërkesat e ndërkombëtareve për situatën në veri.

“Tri kërkesat që janë paraqitur, në një mënyrë jam pranuar prej Kosovës. Siç edhe e dimë, veç është paralajmëruar edhe nga presidentja edhe nga kryeministri për mbajtjen e zgjedhjeve më veri. Ashtu siç është pranuar edhe mundësia e heqjes së njësive speciale nga objekte të komunës ku duhet të qëndrojnë në veri. Njëkohësisht edhe pranimi nga Qeveria e Kosovës për pranimin e krejt marrëveshjeve të mëhershme, si në marrëveshjen e Ohrit, paraprakisht edhe në marrëveshjen e Brukselit. Mendoj se këto tria janë çështje të dakorduara, veprimet e mëtejme të qeveria duhet të ndodhin tash, në kohë.” ka thënë ai.

“Mocioni është zgjidhja e duhur, është demokraci dhe kjo do të ishte me siguri e dobishme për gjithë spektrin politik, përfshirë edhe shumicën, për pozitën. Janë votat, opozita e ka numrin e nevojshëm për të iniciuar mocionin, por po ashtu ka plot deputetë në Kuvendin e Kosovës që nuk pajtojnë me këto tejkalimet e panevojshme të kryetarit të qeverisë”.


Shtuar 7.06.2023 14:26