Një incident i tensionuar u shënua mbrëmjen e djeshme, 30 shtator, në burgun “Don Bosco” të Pisës, në Itali. Rreth 40 të dënuar, mes tyre edhe shtetas shqiptarë, u grumbulluan në një pjesë të institucionit dhe kërkuan të takonin komandantin e policisë penitenciare dhe drejtoreshën e burgut.
Protesta, sipas raportimeve të mediave italiane, shpërtheu pasi disa të burgosur thanë se kishin gjetur në qelitë e tyre mikrofona përgjimi dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat dyshohet se ishin vendosur për nevoja hetimore. Ata kundërshtuan monitorimin dhe kërkuan të mund të komunikonin në qelitë e tyre pa u dëgjuar apo regjistruar.
Të lidhura
None found
Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në TikTok nga një prej të dënuarve, ndonëse përdorimi i telefonave është i ndaluar në burgje. Në video dëgjohen persona që flasin si në italisht, ashtu edhe në shqip, ndërsa situata duket e acaruar. Gjatë transmetimit, njëri prej tyre shprehet: “Duhet të jenë gazetarët aty, do t’i masakrojnë keq çunat”, ndërsa një tjetër dëgjohet duke përdorur një sharje në shqip: “Të q**** motrën”.
Të burgosurit deklaruan gjatë videos se drejtoria i kishte nxjerrë më herët nga qelitë. Pas rikthimit, ata pretenduan se kishin vënë re mikrofonë dhe pajisje të tjera elektronike të fshehura. Po ashtu, sipas dëshmive të tyre, gjatë përplasjes me efektivët ishin goditur me shkopinj gome.
Përplasjet nisën rreth orës 19:00 dhe vijuan për disa orë. Në burg u dërguan edhe ambulanca, pasi u raportuan incidente mes të dënuarve dhe punonjësve të policisë. Ndërkohë, në pjesën jashtë institucionit u vendosën forca të policisë, karabinierisë dhe policisë penitenciare.
Autoritetet italiane pritet të zbardhin rrethanat e ngjarjes dhe të përcaktojnë nëse pajisjet e pretenduara të përgjimit ishin vendosur në qeli si pjesë e një hetimi.
