Në kushtet kur temperaturat në Elbasan kanë kaluar 41 gradë, shumë qytetarë po zgjedhin zonat që ofrojnë freski natyrore për të përballuar vapën gjatë orëve më të nxehta. Bysheku mbetet ndër destinacionet më të frekuentuara, me dhjetëra vizitorë që mbërrijnë çdo ditë për ajrin e pastër, hijen dhe qetësinë.
Një prej qytetarëve e cilësoi Bushekun si ambientin më të bukur për të, duke theksuar se nuk do ta ndërronte as me Gjinarin, ndonëse edhe këtë të fundit e konsideron një vend të shkëlqyer.
Të lidhura
None found
Për familjet elbasanase, zona është kthyer në një zgjedhje të vazhdueshme, pasi krahas freskisë që vjen nga burimet natyrore, ajo ofron edhe produkte tradicionale dhe një mjedis çlodhës.
Një tjetër vizitor veçoi ushqimet bio, bukurinë e rrapave shekullorë dhe ujin e freskët e të ftohtë. Ai tregoi se shpesh përshkon rreth një kilometër vetëm për të pirë një kafe në këtë ambient. Me rastin e ditëlindjes së bashkëshortes, kishte organizuar një drekë me njerëzit e tij dhe shprehu bindjen se do ta kalonin bukur, pasi edhe vendi është i tillë.
Sipas frekuentuesve, edhe pse vitet kanë kaluar, Bysheku nuk e ka humbur statusin e simbolit të freskisë në Elbasan. Për ta, ai vazhdon të jetë një nga hapësirat më të veçanta ku mund të kalohet koha gjatë ditëve me temperatura ekstreme.
Qytetarët thonë se vizita në këtë zonë u fal një qetësi dhe kënaqësi të veçantë. Ata kujtojnë se Bysheku është çmuar gjithmonë në Elbasan për ujin dhe freskinë, ndërsa vazhdon të ruajë të njëjtën veçanti për ta.
Vizitorë të tjerë shprehen se e vlerësojnë dhe e zgjedhin këtë vend për ujin dhe rrapat, duke shtuar se Bysheku pëlqehet nga e gjithë familja dhe, me pak fjalë, është një zonë e bukur.
Prej dekadash, banorët e Elbasanit e frekuentojnë Byshekun për pushim dhe relaks pranë burimeve natyrore. Gjatë viteve të fundit, përveç vizitorëve vendas, zona po mirëpret një numër gjithnjë më të madh turistësh të huaj, duke u kthyer në një prej pikave turistike më të vizituara të Elbasanit.
