Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, plagoset një polic

Të shtëna me armë zjarri  janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Sipas informacioneve të para, mësohet se është plagosur një punonjës policie.

Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së Pediatrisë, ndërsa mësohet se polici ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Raportohet se autori i plagosjes është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e tij.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Në lagjen “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pasi kanë marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, janë vënë në ndjekje të personit të dyshuar.

Gjatë ndjekjes, personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, dhe si pasojë është plagosur një prej efektivëve, inspektor E. A., i cili është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

Në ndjekje të personit të armatosur janë venë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur.


Shtuar 20.09.2023 19:19