EMRI/ Të shtëna me armë në Shkodër, plagoset një i ri (VIDEO)

Shkodra është tronditur mbrëmjen e sotme nga të shtënat me armë zjarri. Mësohet se të shtënat janë dëgjuar në lagjen “Perash”.

Policia është nisur për në vendin e ngjarjes, ndërsa mësohet se i lënduar ka mbetur një i ri, Edis Reçi, 28-vjeç, i cili është plagosur në këmbë.

Ka qenë urgjenca e Shkodrës që ka  njoftuar policinë. Nga të dhënat mësohet se rreth orës 21: 45 janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në afërsi te Sheshit Isa Boletini.

Policia po heton rreth ngjarjes. Pritet dëshmia e të plagosurit rreth kësaj ngjarjeje.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Informacion paraprak

Më datë 19.04.2022, rreth orës 22:00, në lagjen “Perash”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasi E. R., 28 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit për të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, është rrethuar zona, janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e territorit për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme, që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen e ngjarjes./albeu.com


Shtuar 19.04.2022 21:51