Të shtëna masive në SHBA: Dy të vrarë, 28 të lënduar, tre në gjendje kritike

Dy persona u vranë dhe 28 të tjerë u plagosën në një sulm masiv me armë në Baltimore të SHBA-së, bënë të ditur autoritetet policore.

Agjencia e lajmeve AP raporton se tre persona janë në gjendje kritike, pas sulmit të bërë në mëngjesin e 2 korrikut.

Komisionari në detyrë i Departamentit të Policisë në Baltimore, Richard Worley, konfirmoi numrin e të vdekurve dhe të plagosurve gjatë një konference për media në vendin e ngjarjes.

Dhjetë persona u dërguan në spitale nga policia dhe 19 të tjerë shkuan vetë, raportoi Fox 45, duke shtuar se një dëshmitar tha se dëgjoi 20 deri në 30 të shtëna me armë.

SHBA-ja nuk ka një përkufizim të vetëm për “të shtënat masive”, por Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka gjurmuar, për më shumë se një dekadë, “incidente me sulmues aktiv”, në të cilat “një individ është i përfshirë në mënyrë aktive në vrasjen ose përpjekjen për të vrarë njerëz në një zonë të populluar”.

Sipas FBI-së, në SHBA ka pasur 345 incidente të tilla në periudhën 2000-2020, të cilat kanë rezultuar me mbi 1.000 njerëz të vrarë dhe mbi 1.800 të plagosur.

Sulmi më vdekjeprurës i tillë – në Las Vegas në vitin 2017 – ka lënë më shumë se 50 njerëz të vrarë dhe mbi 500 të plagosur.


Shtuar 2.07.2023 13:31