Dy persona të kërkuar ndërkombëtarisht janë vënë në pranga në Tiranë dhe në Rinas në kuadër të operacionit policor “The Wanted”.
Në kryeqytet u arrestua 47-vjeçari Ervin Dakoli, i cili do të ekstradohet drejt Italisë. Ai akuzohet për përfshirje në bashkëpunim kriminal dhe trafikim të lëndëve narkotike. Sipas autoriteteve italiane, gjatë vitit 2020 Dakoli dyshohet se ka marrë pjesë në blerjen, transportimin, importimin dhe magazinimin e sasive të mëdha të marijuanës, hashashit dhe kokainës, të cilat më pas u dërguan në Itali.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, në Rinas u ndalua 38-vjeçari Hamdi Krasniqi, që kërkohet për ekstradim drejt Kosovës. Gjykata e Apelit e Pejës e ka dënuar atë me 1 vit e 6 muaj burgim për falsifikim kartëmonedhash. Autoritetet kosovare bëjnë me dije se Krasniqi kishte tentuar që gjatë vitit 2021 të hidhte në treg në Pejë rreth 15 mijë dollarë të falsifikuar.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit thekson se operacioni ndërkombëtar “The Wanted” po vijon dhe se dy shtetasit u ndaluan për llogari të autoriteteve të drejtësisë në Itali dhe Kosovë.
Sipas policisë, specialistët e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Tiranë, kapën shtetasin E. D., 47 vjeç, i lindur në Kavajë, me qëllim ekstradimin në Itali. Gjykata e Bolonjës ka lëshuar ndaj tij urdhër arresti në muajin maj 2026, për pjesëmarrje në bashkëpunim kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve.
Ky shtetas akuzohet se gjatë vitit 2020, në bashkëveprim me persona të tjerë, ka organizuar dhe kryer blerjen, transportimin, importimin, magazinimin paraprak dhe mbajtjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike, përfshirë marijuanë, hashash dhe kokainë, të trafikuara drejt Italisë me qëllim shitjen.
Në Rinas u arrestua edhe shtetasi kosovar H. K., 38 vjeç, i cili do të ekstradohet drejt Kosovës. Gjykata e Apelit e Pejës e ka dënuar në vitin 2022 me 1 vit e 6 muaj burgim për falsifikim të kartëmonedhave. Ai, së bashku me shtetas të tjerë, dyshohet se ka tentuar të nxjerrë në treg në Pejë rreth 15 000 dollarë të falsifikuar gjatë vitit 2021.
Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me autoritetet homologe në Romë dhe në Kosovë për të përmbyllur procedurat e ekstradimit të dy shtetasve.
