Hakerat e Iranit kanë publikuar gjatë mbrëmjes së djeshme e-mailet e drejtorit të SHISH, Helidon Bendo me të tretët duke zbuluar detaje të rendësishme në lidhje me rrjetin agjenturor të vendit.
I ftuar në ABC Live me Sibora Bitrin, gazetari Artan Hoxha theksoi se rrjedhja e këtyre të dhënave rrezikon në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e punonjësve të SHISH si edhe të personave që punojnë për sigurinë e vendit brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.
“Kjo ka dëmtuar rrjetin agjenturor të vendit dhe unë kam thënë edhe më parë që SHISH duhet të rindërtojë rrjetin a agjentëve pasi tani janë zbuluar të gjithë”, tha Hoxha.
Gazetari theksoi se askush deri më tani nuk ka mbajtur përgjegjësi për rrjedhjen e të dhënave dhe sulmin kibernetik ndaj rrjeteve tona, përmes të cilës hakerat morën çfarë deshën.
“Ore si ka mundësi që u bën muaj që ata publikojnë të dhëna dhe këtu askush nuk reagon. Do mbajë dikush përgjegjësi në këtë vend?! Po si ka mundësi që na kanë shpartallur dhe askush nuk mabn përgjegjësi për diçka kaq të madhe që ka ndodhur?!”, tha Hoxha duke shtuar se në vende të tjera për shembull, siç është Greqia, një listë e personave të përgjuar ka shkaktuar tërmet në opinionin publik.
“Nuk po bëjmë asgjë në këtë drejtim dhe po i lejojmë armitë tanë që të na dëmtojnë edhe më tepër”, tha Hoxha.